Pasi u njoftua se është arritur një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi se kjo marrëveshje nuk është detyruese për Izraelin.
“Marrëveshja e Trumpit nuk na obligon. Izraeli nuk është i nënshtruar ndaj Shteteve të Bashkuara. Ne jemi një shtet i pavarur dhe sovran. Nuk jemi palë në këtë marrëveshje, e cila nuk garanton sigurinë tonë. Nuk duhet të tërhiqemi nga asnjë territor që është marrë nga luftëtarët tanë”, tha Ben Gvir.
Ditët e fundit janë raportuar tensione në marrëdhëniet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Trump madje e kishte akuzuar Netanyahun se “nuk po gjykon drejt” dhe ishte zemëruar me të për sulmet ndaj Bejrutit në një kohë kur SHBA-ja po përpiqej të arrinte një marrëveshje armëpushimi në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, burime izraelite pretendojnë se edhe Netanyahu ishte i pakënaqur me Trumpin për arritjen e marrëveshjes me Iranin, duke i bërë të ditur se ushtria izraelite nuk planifikon të largohet nga Libani.
Megjithëse detajet e marrëveshjes mes Iranit dhe SHBA-së ende nuk janë bërë publike, mediat iraniane raportojnë se ajo përfshin edhe një armëpushim në Liban.
Po ashtu, pas sulmeve që Izraeli kreu të dielën në Bejrut, burime pranë Gardës Revolucionare Iraniane pretendojnë se Trump arriti të shmangte një kundërpërgjigje iraniane vetëm pasi bëri lëshime në pjesët e marrëveshjes që lidhen me heqjen e bllokadës detare të vendosur nga SHBA-ja.












