BE zgjat mbështetjen për refugjatët në Turqi deri në fillim të vitit 2022

“Këto programe ndihmojnë mbi 1.8 milionë refugjatë të plotësojnë nevojat e tyre themelore dhe do të ndihmojnë mbi 700 mijë fëmijë të vazhdojnë arsimin e tyre”, njoftoi Komisioni Evropian

Bashkimi Evropian (BE) ka bërë të ditur se mbështetja humanitare për refugjatët në Turqi do të zgjatet deri në fillim të vitit 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Këto programe ndihmojnë mbi 1.8 milionë refugjatë të plotësojnë nevojat e tyre themelore dhe do të ndihmojnë mbi 700 mijë fëmijë të vazhdojnë arsimin e tyre”, njoftoi Komisioni Evropian.

Komisioni po ashtu tha se të përfshirë në këtë zgjatje janë Rrjeti i Sigurisë Sociale Emergjente (ESSN), i cili siguron ndihmë në të holla për refugjatët në partneritet me Gjysmëhënën e Kuqe Turke (Kızılay) dhe Transferet e Parave të Kushtëzuara për Arsim (CCTE), të cilat ofrojnë mbështetje për familjet fëmijët e të cilëve ndjekin shkollimin e rregullt.

Këto programe, tha më tej Komisioni Evropian, fillimisht të krijuara dhe të financuara nga programi i lehtësimeve të BE-së për refugjatët në Turqi, tani do të financohen nën buxhetin e BE-së.

BE aktualisht po përcakton 485 milionë euro për të mbështetur refugjatët në Turqi përmes dy programeve.

“Turqia strehon afër 4 milionë refugjatë, 70 për qind e të cilëve janë fëmijë dhe gra. Më shumë se 98 për qind e refugjatëve në Turqi jetojnë jashtë kampeve. Rreth 3.6 milionë janë sirianë që ikën nga lufta e vazhdueshme”, tha njoftimi.

Në vitin 2016, BE-ja dhe Turqia arritën një marrëveshje në të cilën BE-ja premtoi se do të sigurojë 6 miliardë euro ndihmë financiare për të financuar projekte për refugjatët sirianë, ndërsa Turqia ra dakord që të ndihmojë në ndalimin e migrantëve të parregullt që drejtoheshin në Evropë.

Marrëveshja ka patur sukses në uljen e ndjeshme të numrit të kalimeve në Detin Egje dhe parandalimin e humbjes së shumë jetëve.

Por pengesat dhe vonesat burokratike të BE-së për të mobilizuar fondet e premtuara shkaktuan kritika të ashpra nga politikanët turq.

Kategoritë
BotaLajme