BE kërkon nga Irani të shmanget nga minimi i marrëveshjes bërthamore

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se “marrëveshja do të mbahet gjallë për sa kohë që të gjithë pjesëmarrësit kryejnë detyrimet e tyre”, duke shtuar se të gjithë pjesëmarrësit e marrëveshjes duan ta mbajnë atë të gjallë

Bashkimi Evropian (BE) i bëri thirrje Iranit të shmangë çdo hap që mund të dëmtojë “ruajtjen e marrëveshjes bërthamore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se “marrëveshja do të mbahet gjallë për sa kohë që të gjithë pjesëmarrësit kryejnë detyrimet e tyre”, duke shtuar se të gjithë pjesëmarrësit e marrëveshjes duan ta mbajnë atë të gjallë.

Në fund të javës së kaluar, Irani konfirmoi një plan për rritjen e pasurimit të uraniumit deri në 20 për qind, lëvizje e prezantuar së fundmi si kundër-masë kundër sanksioneve të SHBA-ve.

“Nëse ky paralajmërim do të zbatohet, paralajmërimi i autoriteteve iraniane, ai do të përbënte një largim të konsiderueshëm nga angazhimet bërthamore të Iranit nën marrëveshjen JCPOA”, tha Stano.

Stano tha se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nuk ka konfirmuar nëse Irani zbatoi paralajmërimin, duke shtuar se IAEA do të informojë vendet anëtare sot më vonë.

“Ne do të shohim se çfarë do të thotë IAEA dhe siç thashë IAEA është njohur si autoriteti i pavarur i monitorimit dhe verifikimit për programin bërthamor të Iranit. Dhe në vlerësimin e agjencisë, ne do të bazohemi në vendimet dhe veprimet tona”, tha ai.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Teherani u lejua të pasurojë uraniumin deri në 3,67 për qind. Megjithatë, pragu u shkel nga Irani në përgjigje të tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja, duke rritur nivelin në 4,5 për qind.

Pavarësisht vendimit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, të vitit 2018 për t’u tërhequr nga JCPAO, anëtarët e BE-së, Gjermania dhe Franca, në vazhdimësi kanë theksuar angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes dhe kanë kërkuar nga Teherani që të kthehet në përputhje të plotë me marrëveshjen.

Kategoritë
BotaLajme