Nicolo Barella ka theksuar se Interi tashmë i ka mposhtur Barcelonën dhe Bayern Munichun, kështu që janë gati për PSG-në në finalen e Ligës së Kampionëve.
Finalja e madhe do të luhet në Munich dhe është ky i njëjti stadium ku ‘Nerazzurrët’ dolën me një fitore 2-1 falë një goli të Davide Frattesit në çerekfinale kundër Bayern Munichut.
“Është një kujtim i mrekullueshëm i golit të Frattesit, ishte një performancë e shkëlqyer e Interit”.
“Tani na duhet një tjetër. Patëm disa çerekfinale dhe gjysmëfinale të mëdha, duke mposhtur disa nga ekipet më të mira në botë si Bayern Munich dhe Barcelona, kështu që i respektojmë të gjithë, përfshirë PSG-në”.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se do të na duhet të vuajmë ndonjëherë dhe të luajmë një performancë të vërtetë si Interi, që do të thotë të qëndrojmë të fortë dhe të shënojmë gola kur të na jepet mundësia”, ka thënë Barella fillimisht.
Ndërsa Interi ishte në garë për tripletën vetëm disa muaj më parë, tani rrezikon ta përfundojë sezonin duarbosh pasi u eliminua në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë nga Milani, dhe më pas humbi titullin e Serie A me një pikë diferencë ndaj Napolit.
“Ky është futbolli, duhet të ngrihesh në këmbë menjëherë pasi rrëzohesh. Ne gjithmonë e kemi bërë këtë në vitet e fundit. Mund të kishim bërë më mirë këtë sezon, por tani po shkojmë në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, në garën më të rëndësishme në botë”.
“Do të përpiqemi të mos mbetemi duarbosh dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta sjellë trofeun në shtëpi. Do të ishte mbyllja e diçkaje që e nisëm disa vite më parë”, shtoi ai.
Marquinhos është i vetmi lojtar i mbetur i PSG-së nga humbja e pësuar në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2020, teksa Interi është praktikisht i njëjti ekip që humbi ndaj Manchester Cityt në vitin 2023.
“Shumë prej nesh kanë përvojë në finale, kështu që po e shijojmë plotësisht. Gjithashtu e dimë që taktikat kanë rëndësi deri në një farë mase, në fund të fundit të duhet zemër më shumë se çdo gjë tjetër. Do të bëjmë më të mirën tonë”, përfundoi italiani.