Balotazhi

Albinot Maloku

Republika e Kosovës e përfundoi me sukses edhe një proces zgjedhor për nivelin lokal që përfshiu 38 komuna për të zgjedhur anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave. Zgjedhjet u përmbyllën pa ndonjë incident dhe qytetarët e vendit treguan një kulturë të mirë politike karshi obligimit të tyre ndaj këtij procesi. Ajo çfarë vazhdon të jetë shqetësuese në proceset zgjedhore të mbajtura në Kosovë është rënia e numrit të votuesve. Ky fenomen ndodhi edhe në zgjedhjet e 22 tetorit ku pati një dalje rreth 44% të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar për zgjedhjet lokale në vend.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, nga 38 komuna të Kosovës më 22 tetor procesin zgjedhor nuk arritën ta përmbyllnin 19 komuna, përfshirë këtu edhe komunat e mëdha si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva e Mitrovica. Qytetarët e 19 komunave të Kosovës do të kenë rastin që me 19 nëntor t’i drejtohen edhe një herë kutive të votimit që përfundimisht të vendosin për fatin e qeverisjes lokale edhe për katër vitet e ardhshme.

Në komunat të cilat do të shkojnë edhe në një raund zgjedhor për ta përmbyllur këtë proces zgjedhor, nga partitë politike do të jenë Lidhja Demokratike e Kosovës në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 9 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 komuna kurse Lëvizja Vetëvendosje e cila për herë të parë, veç Prishtinës, ka arritur të pozicionohet në pretendentin potencial për të marrë drejtimin e komunave edhe në 5 komuna tjera në nivel vendi. Aleanca Kosova e Re, NISMA dhe Alternativa janë në balotazh në nga një komunë.

Pasi nuk është hera e parë që komunat nuk e përmbyllin procesin zgjedhor pa e konsumuar edhe balotazhin, padyshim se kjo çështje, bazuar edhe në rrethana tjera, nxitë mendimin se raundi i dytë zgjedhor do të ishte mirë të shqyrtohej si proces që mos të ekzistonte. Arsyet janë nga më të ndryshmet. Raundi i dytë zgjedhor apo balotazhi veç se nxjerr rrethana të reja politike në nivel komune, bëhet edhe ngarkesë për votuesin, numri i të cilit po vazhdon të bie deri në përmasa shqetësuese për një proces të mirëfilltë demokratik zgjedhor. Po ashtu, po bëhet ngarkesë edhe buxhetore për shtetin.

Reforma zgjedhore e cila ka ngelur vetëm e përfolur dhe premtim, do të duhej të përfshinte edhe çështjen e balotazhit si proces që duhet larguar nga mundësia e ekzistimit. Metoda e balotazhit nuk nxjerr vota racionale apo të bindjeve reale. Balotazhi imponon rrethana krejtësisht jo parimore të një politike, edhe ashtu skajshmërisht jo parimore, e cila ka kohë që zhvillohet në ambientin e kontaminuar politik të Kosovës. Kalkulimet për të përkrahur kandidatët e balotazhit nga ish-kandidatët që nuk kanë arritur të futen në balotazh, gati në çdo proces kanë qenë të dëmshme edhe për qeverisjet lokale. Kandidatët që nuk kanë arritur t’i futen edhe raundit të dytë zgjedhor duke menduar që prezantojnë fuqi të votës së akumuluar në procesin zgjedhor, bien pre e mendimit se ata mund të orientojnë votën të cilën e kanë marr.

Balotazhi nuk është se nuk ekziston edhe në vendet perëndimore, mirëpo vota në ato vende është vullnet i lirë i mendimit dhe i qëndrimit të votuesit dhe jo pjesë e kalkulimeve të mundshme të politikës. Deri në një reformë zgjedhore, votuesit do të duhej të dilnin e të votonin edhe me 19 nëntor për të shfrytëzuar të drejtën e tyre e për të përcaktuar fatin e komunës së tyre për katër vitet e ardhshme.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...