Baku: Veprimet provokuese të Armenisë, tregues i përgatitjeve për një luftë tjetër me Azerbajxhanin

Forcat e Armatosura të Republikës së Azerbajxhanit do të marrin masat e nevojshme të reagimit duke përdorur të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për qëllime vetëmbrojtjeje, tha Ministria e Mbrojtjes

Baku tha sot se “veprimet e fundit provokuese” të Armenisë janë tregues i përgatitjes së vendit për një luftë tjetër me Azerbajxhanin, transmeton Anadolu.

“Stërvitjet ushtarake të kryera nga Shtetet e Bashkuara në Armeni, ofrimi i armëve vdekjeprurëse për Armeninë nga Franca dhe faza fillestare e ndihmës ushtarake në shumën prej dhjetë milionë eurove, e ofruar për Armeninë nga Bashkimi Evropian në kuadër të Mjetit Evropian të Paqes, inkurajojnë shtetin pushtues, Armeninë, të kryejë provokime të tilla dhe të tregojë përgatitjen e saj për një luftë tjetër kundër Azerbajxhanit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit.

Deklarata erdhi menjëherë pasi ministria raportoi se kishte rrëzuar një kuadkopter armen që kryente fluturime zbulimi mbi pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit në rajonin veriperëndimor të vendit Tovuz më herët gjatë ditës.

Më herët këtë javë, ministria tha gjithashtu se njësitë e saj në rajonin perëndimor Kalbajar u qëlluan nga forcat armene.

Duke theksuar se “veprimet e tilla provokuese” nuk janë të parat dhe janë bërë sistematike nga ana e Armenisë, deklarata paralajmëroi Jerevanin dhe “mbështetësit” e tij që të përmbahen nga krijimi i një zone të re konflikti në rajonin e Kaukazit Jugor.

“Nëse këto veprime provokuese kundër vendit tonë nuk ndalen, Forcat e Armatosura të Republikës së Azerbajxhanit do të marrin masat e nevojshme të reagimit duke përdorur të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për qëllime vetëmbrojtjeje”, shtoi ministria.

Marrëdhëniet midis Bakut dhe Jerevanit kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone ngjitur.

Pjesa më e madhe e territorit u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi pas një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia që hapi derën për normalizimin dhe bisedimet për demarkacionin e kufirit.

Shtatorin e kaluar, Azerbajxhani vendosi sovranitet të plotë në Karabak pas një “operacioni antiterrorist” në shtator të vitit të kaluar, pas të cilit forcat separatiste në rajon u dorëzuan.

Kategoritë
BotaLajme