Bajram i trishtë në Gaza: Palestinezët falën namazin pavarësisht sulmeve izraelite

Palestinezët në Gaza po e shënojnë Kurban Bajramin pavarësisht sulmeve të vazhdueshme nga Izraeli, raportoi Reuters.

Një numër i madh palestinezësh që jetojnë në këtë enklavë, pas faljes së namazit të Bajramit, vizituan varret e familjarëve të tyre të vrarë gjatë sulmeve izraelite që nisën në tetor të vitit 2023.

Edhe pse është në fuqi armëpushimi, Izraeli vazhdon sulmet ndaj Gazës, ndërsa vlerësohet se rreth 900 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i këtij armëpushimi.

“Po i kryejmë ritualet e Kurban Bajramit pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme të armikut sionist. Edhe dje pati sulme, atentate, masakra dhe terror të vazhdueshëm nga armiku sionist. Megjithatë, ne mbetemi të palëkundur në tokën tonë, pranë vendeve tona të shenjta dhe jetëve tona. Jetojmë jetën dhe zbatojmë urdhrat e Pejgamberit duke ndier gëzim në ditën e Bajramit, pavarësisht të gjitha vështirësive”, tha për Reuters Loai Al-Qaryouti nga Gaza.

Megjithatë, siç theksoi një tjetër banor i Gazës, humbja e familjarëve dhe miqve lë gjurmë të mëdha edhe në shënimin e festave si Kurban Bajrami.

“Gëzimi i Bajramit është te njerëzit e dashur. Kur një fëmijë humb nënën, babanë ose xhaxhain, ai është i pikëlluar; atëherë nuk ka gëzim as për fëmijët, as për të moshuarit, as për askënd. Jam 55 vjeç. Kur humba nënën time, isha shumë i trishtuar. Nuk jam i lumtur. Nuk kam Bajram”, tha Rizq Al-Dahdouh, i cili gjatë festës vizitoi varret e familjarëve të tij.

Kategoritë
BotaLajme