Avokati Čedomir Stojković, i cili është aktiv në rrjetet sociale, u arrestua dje në Beograd. Pas lirimit për t’u mbrojtur në liri, ai reagoi në profilin e tij në Facebook për të sqaruar të gjithë situatën.
Stojković deklaroi se reagimi i tij në Facebook erdhi për shkak se, sipas tij, i është ndaluar publikimi në rrjetin social X dhe në platformën YouTube. Përveç kësaj, atij i është konfiskuar edhe telefoni mobil.
“Zyrtarisht, jam arrestuar për dy arsye. Së pari, sepse në vitet 2022, 2023, 2024 dhe 2025, në platformën X kam shkruar për Euromajdanin në Ukrainë si një shprehje demokratike të vullnetit të popullit për Bashkimin Evropian. Regjimi në Serbi e konsideron përmendjen e Euromajdanit si vepër penale. Së dyti, sepse në rrjetin X kam përmendur Aleksandar Vučićin dhe Slavko Aleksićin,” tha Stojković.
Megjithatë, sipas tij, arsyet e vërteta të arrestimit janë të tjera.
“Më arrestuan për shkak të kallëzimit penal që kam paraqitur kundër Aleksandar Vučićit, lidhur me përfshirjen e tij në ‘Sarajevo snajper safari’. Po ashtu, për ta, zhvillimi i podkastit tim ‘Putokaz me Čedomirin’ përbën rrezik të pashpjegueshëm, sepse nuk ka asnjë arsye tjetër pse të më ndalohet qasja në kanalin YouTube. Unë atje nuk bëj asgjë tjetër përveçse publikoj podkastin tim,” u shpreh ai.
Stojković tha se, gjatë shkuarjes në tualet, kishte dëgjuar se arsyeja reale e arrestimit ishin publikimet e tij për lidhjen e Vučićit me “Sarajevo safari”, përkatësisht fakti që këto publikime kanë tërhequr vëmendjen e mediave të huaja.
“Sinqerisht, prisja paraburgim. Me kolegun tim Sead Spahović bënim shaka derisa prisnim vendimin, duke thënë se brenda natës do të bëhesha avokat më me përvojë se ai, sepse do të kisha mundësinë ta shihja Burgun Qendror nga një këndvështrim që as avokatët më të vjetër nuk e kanë – nga pozita e të akuzuarit. Kjo nuk ndodhi. Personalisht besoj se kjo ndodhi falë guximit të gjykatës për t’iu kundërvënë kërkesës për paraburgim, e cila ishte qartazi e pabazuar, sepse askush, as unë, nuk mund të ndalohet vetëm pse shkruan se ‘regjimi duhet të rrëzohet’. Megjithatë, në Serbi është e vështirë t’i rezistosh regjimit, prandaj urime për gjykatën. Edhe pse, prokuroria do të ankohet – do të shohim,” shkroi ai në Facebook.
Në fund, me një ton humoristik, Stojković tha se rasti i tij duhet të arrijë deri te Elon Musk, pronari i X-it, duke shtuar se bëhet fjalë për një “censurë të hapur”, me të cilën Musk, sipas tij, merret shpesh.


















