Avokati i Popullit realizoi video-takim me ish-policin serb të arrestuar në Jarinje, Dejan Pantiq

Pantiq ka thënë nuk ka ndonjë ankesë sa i përket trajtimit nga Policia e Kosovës, ndërsa u bë e ditur se ai tashmë ka avokat mbrojtës dhe ka realizuar takime online dhe me telefon me avokatin e tij

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, së bashku me zëvendësit e tij, Marija Raduloviq dhe Niman Hajdari, ka realizuar video-takim me ish-policin e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Pantiq, i cili u arrestua nga autoritetet kosovare më 10 dhjetor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Institucioni i Avokatit të Popullit, biseda e Qelajt dhe ekipit të tij me ish-policin Pantiq është bërë me video-lidhje në pamundësi për ta vizituar në qendrën e ndalimit për shkak të barrikadave në veri.

Gjatë kësaj bisede, Pantiq ka thënë se nuk ka ndonjë ankesë sa i përket trajtimit nga Policia e Kosovës, ndërsa u bë e ditur se ai tashmë ka avokat mbrojtës dhe ka realizuar takime online dhe me telefon me avokatin e tij.

“Familja është njoftuar për faktin se ai u arrestua dhe iu shqiptua masa e paraburgimit. Deri më tani nuk ka realizuar takim me ta, pasi që takimet dhe telefonatat janë subjekt i lejes nga gjykata kompetente. Sa i përket gjendjes shëndetësore, ai tha se vuan nga tensioni, por është duke e marrë terapinë adekuate. Ai po ashtu po i përdorë medikamentet që i kishin sjellë familja e tij”, njofton Institucioni i Avokatit të Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, Pantiq ka pohuar se i është dorëzuar edhe vendimi gjyqësor për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa ai ka kërkuar që t’i lejohet vizita nga avokati mbrojtës dhe familja, si dhe të akomodohet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë dhe jo në ndonjë qendër tjetër.

Në fund, Avokati i Popullit kërkoi nga të gjitha organet kompetente që të bëjnë maksimumin e tyre që Pantiq të trajtohet në pajtim me legjislacionin, duke respektuar të gjitha të drejtat që i takojnë.

Ish-polici i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, që dha dorëheqje nga detyra në nëntor bashkë me disa policë tjerë të komunitetit serb, u arrestua më 10 dhjetor për sulm terrorist dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës. Në të njëjtën ditë, serbët lokalë si kundër-përgjigje vendosën disa barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kategoritë
LajmeVendi