Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka deklaruar se peshku që tregtohet në Kosovë është i sigurt për konsum, pas shqetësimeve të ngritura nga raportimet për praninë e krimbave Anisakis në disa ngarkesa.
Sipas AUV, bëhet fjalë për peshk të llojit Merluc (hake), i cili importohet i ngrirë në temperaturë më të ulët se -18°C nga vende si SHBA, Kanada, Spanjë, Kroaci dhe Maqedoni e Veriut. Ky lloj peshku është i destinuar për përgatitje me trajtim termik dhe nuk duhet të konsumohet i freskët apo i papërpunuar, si në forma të tilla si sushi apo krudo.
AUV thekson se të gjitha ngarkesat e peshkut janë të shoqëruara me certifikata shëndetësore dhe i nënshtrohen kontrolleve laboratorike për siguri ushqimore.
“Është e domosdoshme të shpjegohet se ngarkesat me peshk nga SHBA, Kanadaja, Spanja, Kroacia, Maqedonia e Veriut, në Republikën e Kosovës vinë të ngrira në më shumë se -18 C dhe me certifikata shëndetësore të autoriteteve të këtyre vendeve. Lloji i peshkut Merluc (hake) i cili gjendet në tregun e Kosovës për të cilin bëhet fjalë, përveç se është i ngrirë, i përket llojit i cili është i dedikuar për tu përgatitur me trajtim të nxehtësisë (D.M.TH të gatuhet) e jo si i freskët apo i shkrirë në specialitete si „krudo“ apo „sushi“ me ç’rast nuk mundet të vihet para konsumatorit nëse përmban parazitë.”, thuhet në sqarimin e AUV.