Asad pretendon se arratisja e tij nga Siria nuk ishte planifikuar dhe se ai vazhdoi detyrën e tij duke qëndruar në Damask deri në mëngjesin e 8 dhjetorit
Në deklaratën e tij të parë pas arratisjes nga vendi, lideri i rrëzuar i regjimit në Siri, Bashar al-Asad pretendon se ai u strehua në bazën ruse gjatë luftimeve dhe prej aty u dërgua në Rusi me udhëzimet e Moskës, transmeton Anadolu.
Asad dha një deklaratë me shkrim në lidhje me arratisjen e tij nga vendi në llogaritë zyrtare të mediave sociale të regjimit të përmbysur Baath në Siri.
Duke pretenduar se iu desh kohë për të bërë një deklaratë për “arsye sigurie”, Asad pretendon se arratisja e tij nga Siria nuk ishte planifikuar dhe se ai vazhdoi detyrën e tij duke qëndruar në Damask deri në mëngjesin e 8 dhjetorit.
Asad argumentoi se kur opozita arriti në Damask, ai shkoi në Latakia për të menaxhuar përleshjet në koordinim me Rusinë, dhe kur mbërriti në bazën ajrore Hmeimim, u bë e qartë se forcat e regjimit kishin humbur pozicionin e tyre ushtarak.
Duke pretenduar se baza ushtarake ruse ku ai u strehua u sulmua nga mjete ajrore pa pilot, Asad thotë se në mbrëmjen e 8 dhjetorit, Moska udhëzoi Komandën e Bazës Ajrore Hmeimim të organizonte “evakuim” të menjëhershëm për të në Rusi.
Asad pretendon se ai kurrë nuk kishte menduar të tërhiqej apo të kërkonte azil gjatë ngjarjeve.