Arabia Saudite lejon pjesërisht Umren për haxhilerët nga jashtë

Vendimi erdhi pas një ndalese shtatëmujore për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Arabia Saudite ka lejuar haxhilerët nga vendet e tjera të kryejnë Umren pas një ndalese shtatëmujore për shkak të shpërthimit të koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ky hap ishte pjesë e masave graduale saudite për të lehtësuar kufizimet e vendosura për të penguar përhapjen e virusit në mbretëri.

Sipas masës së re, 20.000 haxhilerë dhe 60.000 praktikues në ditë do të lejohen të kryejnë ritualet në Xhaminë e Madhe, ku ndodhet Qabeja, sipas kanalit shtetëror Al-Ekhbariya.

Më 4 tetor, autoritetet saudite lejuan sauditët dhe banorët e huaj të mbretërisë të kryenin lutje në Xhaminë e Madhe me një kapacitet 30 për qind ose 6.000 njerëz në ditë.

Më 18 tetor, mbretëria e Gjirit lejoi 15.000 haxhilerë në ditë për të kryer Umren dhe lutje në Mesxhid al-Nabevi, ose Xhamia e Profetit, në Medine.

Për shkak të pandemisë, vizita e Haxhit këtë vit ishte e kufizuar vetëm për ata që jetojnë në Arabinë Saudite, ndërsa haxhilerët nga jashtë nuk u pranuan.

Umreja është ritual islam në qytetin e shenjtë të Mekës të cilin muslimanët mund ta kryejnë në çdo kohë të vitit.

Arabia Saudite ka regjistruar 347.282 raste me COVID-19, përfshirë 5.402 vdekje, që kur u regjistruar rasti i parë i koronavirusit në mbretëri në mars.

Kategoritë
BotaLajme