Deputetë amerikanë kanë propozuar një ligj që autorizon presidentin Donald Trump të dërgojë bombarduesit B-2 dhe bombat për shkatërrimin e bunkerëve në Izrael, nëse konstatohet se Irani po zhvillon armë bërthamore, raporton Fox News të mërkurën.
Këtë masë e inicuan përfaqësuesit Josh Gottheimer (D-New Jersey) dhe Mike Lawler (R-New York), me synimin që Trumpi “të ketë mundësi të marrë masa për t’u siguruar se Izraeli është gati për çdo skenar të paparashikuar nëse Irani përpiqet të zhvillojë armë bërthamore”.
“Irani, sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit dhe një nga armiqtë kryesorë të Amerikës, kurrë nuk mund të ketë armë bërthamore. Prandaj mbështeta fuqishëm veprimet tona ushtarake më parë këtë muaj. Irani ka vrarë shumë amerikanë, përfshirë ushtarët tanë, dhe ka sulmuar disa herë aleatin tonë kyç demokrat, Izraelin. Izraeli duhet të jetë në gjendje t’i mbrohet Iranit dhe të sigurojë që Irani të mos rikthejë kapacitetet e tij bërthamore,” tha Gottheimer.
“Ky ligj i jep presidentit autoritetin për t’i pajisur izraelitët me mjetet dhe stërvitjen e nevojshme për të parandaluar planifikimet e Teheranit dhe për të krijuar një botë më të sigurt,” shtoi Lawler.
Në tekstin e ligjit thuhet se Trumpi, në rast nevoje, duhet t’i justifikojë Kongresit se veprimi është thelbësor për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Po ashtu kërkohet që Trumpi të marrë “konfirmimin se Izraeli nuk ka burime të tjera për të shkatërruar infrastrukturën bërthamore të fshehtë iraniane nën tokë”.
Sipas raporteve, Trumpi urdhëroi në fshehtësi sulme ajrore ndaj Iranit disa ditë para se SHBA-të të godisnin objektet bërthamore të Republikës Islamike me bombarduesit B-2 stealth dhe bombat e shkatërrimit të bunkerëve. Më vonë ai deklaroi se impiantet bërthamore iraniane ishin “rrënjosur” nga ato sulme.