Amerikanët të gatshëm të negociojnë me rusët për ndalimin e zgjerimit të NATO-s, përmenden tri shtete

Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, deklaroi se SHBA-të e njohin legjitimitetin e kërkesave ruse për moszgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe janë të gatshme të bisedojnë për këtë çështje si pjesë e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë.

Në një intervistë, Kellogg konfirmoi se Trump është i gatshëm t’i premtojë udhëheqësit të Kremlinit, Vladimir Putin, se NATO nuk do të zgjerohet drejt lindjes nëse një kërkesë e tillë paraqitet si kusht për përfundimin e luftës.

“Kjo është një nga çështjet që Rusia do ta ngrejë. Dhe ata nuk flasin vetëm për Ukrainën – flasin për Gjeorgjinë, flasin për Moldavinë, dhe natyrisht për Ukrainën. Ne themi ‘në rregull, në mënyrë gjithëpërfshirëse, mund të ndalim zgjerimin e NATO-s që i afrohet kufirit tuaj’. Këto janë shqetësimet e tyre të sigurisë,” tha ai.

Kellogg theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është në rend dite dhe se të paktën katër shtete anëtare të NATO-s ndajnë të njëjtin qëndrim.

“Ne kemi thënë se për ne, anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është në tavolinë. Dhe nuk jemi të vetmit që e themi këtë. E dini, ndoshta mund t’ju përmend edhe katër shtete tjera të NATO-s që janë të këtij mendimi. Dhe për t’u bërë anëtare e NATO-s, nevojitet miratimi i të gjitha 32 vendeve anëtare,” tha Kellogg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se anëtarësimi i Ukrainës në Aleancë mbetet i pakthyeshëm, por nuk do të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme paqësore me Rusinë.

Më 28 maj, presidenti çek Petr Pavel tha se është i bindur se Ukraina nuk do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në të ardhmen e afërt – pjesërisht për shkak të qëndrimit të Trump-it.

Kategoritë
BotaLajme