Amerika vuri sërish veton ndaj rezolutës së OKB-së për armëpushimin humanitar në Gaza

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë vënë veton për herë të tretë ndaj projekt-rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushimin humanitar në Gaza.

Trembëdhjetë anëtarë të këshillit votuan pro tekstit të rezolutës të hartuar nga Algjeria, ndërsa Britania abstenoi.

“Votimi për këtë projekt-rezolutë është mbështetje për të drejtën e palestinezëve për jetë. Nga ana tjetër, votimi kundër nënkupton miratimin e dhunës brutale dhe dënimit kolektiv të shkaktuar ndaj tyre,” tha ambasadori i Algjerisë në OKB Amar Bendjama para votimit.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas Greenfield sinjalizoi të shtunën se SHBA-të do të vënë veton ndaj projekt-rezolutës mes shqetësimeve se rezoluta mund të rrezikojë negociatat midis SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit që kërkojnë të ndërmjetësojnë një pauzë në luftë dhe lirimin e të burgosurve izraelitë. .

“Çdo veprim që ndërmerr ky Këshill tani duhet të ndihmojë, jo të pengojë, këto negociata të ndjeshme dhe të vazhdueshme. Dhe ne besojmë se rezoluta aktualisht në tryezë do të ndikojë negativisht në ato negociata,” tha Thomas Greenfield përpara votimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan gjithashtu se do të propozojnë tekstin e projekt-rezolutës, ku thuhet se në rrethanat aktuale, një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultojë në dëme të mëtejshme për civilët dhe zhvendosjen e tyre të mëtejshme, duke përfshirë potencialisht në vendet fqinje.

Izraeli ka thënë se nëse Hamasi nuk i liron të gjithë të burgosurit deri në fillim të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, do të nisë një ofensivë tokësore në Rafah.

Më shumë se një milion palestinezë gjetën strehim në Rafah dhe OKB-ja paralajmëroi se një sulm në Rafah “mund të çojë në masakër”.

Kategoritë
BotaLajme