Amerika humb popullaritetin global për shkak të Trump-it, Izraeli vlerësohet si shteti me reputacionin më të keq ndërkombëtar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po humbin ndjeshëm simpatinë në skenën ndërkombëtare pas rikthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, sipas të dhënave të fundit nga Indeksi i Perceptimit të Demokracisë për vitin 2025.

Ky indeks, që përmbledh qëndrimet globale ndaj demokracisë, fuqive botërore dhe gjeopolitikës, përfshiu më shumë se 110,000 të anketuar në 100 vende të ndryshme.

Sipas rezultateve, shumica e pjesëmarrësve kanë perceptim negativ për SHBA-në – një rënie e thellë krahasuar me vitin e kaluar. Rënia më e madhe është regjistruar në vendët e Bashkimit Evropian, çka nuk është e papritur duke pasur parasysh se Trump e ka quajtur BE-në një “bllok të tmerrshëm”, “të mjerë” dhe “të krijuar për të mashtruar SHBA-në.”

Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe themelues i Fondacionit Aleanca për Demokraci, bashkautor i raportit, deklaroi:

“Nuk jam i befasuar që perceptimi ndaj Amerikës ka rënë kaq ndjeshëm.”

Ndërkohë, Kina po përmirëson vazhdimisht imazhin e saj ndërkombëtar, duke tejkaluar për herë të parë SHBA-në në perceptim pozitiv në shumicën e rajoneve të botës – përveç Evropës.

Rusia, edhe pse ende e papëlqyer për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, ka shënuar një përmirësim të lehtë në imazh.

Reputacioni i Trump-it është në përputhje me atë të vendit të tij: ai është më pak popullor se kolegët e tij Putin dhe Xi Jinping në nivel botëror.

Ai gjithashtu u rendit më poshtë se një sërë figurash të tjera të njohura, përfshirë Elon Musk, Bill Gates, papën e ndjerë Françesku, Taylor Swift dhe Kim Kardashian.

Në fund të listës, Izraeli u rendit si shteti me reputacionin më të keq ndërkombëtar, veçanërisht në rajonet e Lindjes së Mesme dhe Azisë Jugore.

Madje edhe në vendet evropiane aleate historike si Gjermania, popullariteti i Izraelit ka rënë ndjeshëm, duke reflektuar pakënaqësinë në rritje ndaj veprimeve të qeverisë izraelite në Gazë dhe Bregun Perëndimor.

 

Kategoritë
BotaLajme