Ambasadori turk Angılı vizitoi varrin dhe familjen e ish-presidentit Rugova

Ambasadori Angılı ka qëndruar për vizitë në familjen e ish-presidentit Rugova, aty ku u prit nga bashkëshortja e ish-presidentit dhe tre fëmijët e tyre

Ambasadori i Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ka vizituar varrin e ish-presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Velani, ku edhe vendosi buqetë me lule, raporton Anadolu.

Pas vizitës së varrit, ambasadori Angılı ka qëndruar për vizitë në familjen e ish-presidentit Rugova, aty ku u prit nga bashkëshortja e ish-presidentit dhe tre fëmijët e tyre, Mendim Rugova, Ukë Rugova dhe Teuta Rugova.

Ambasadori Angılı vizitoi edhe Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”, aty ku gjenden në formë të dokumenteve dhe fotografive disa prej momenteve më të rëndësishme para se Kosova të bëhej shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur.

Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë më 21 janar 2006 në Prishtinë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi