Ambasadori amerikan në Turqi thotë se nuk ekziston Lindja e Mesme: Kombi vjen vetëm në fund

Ambasadori amerikan në Turqi dhe i dërguari special për Sirinë, Tom Barrack, ka “hedhur poshtë” termin Lindja e Mesme si një rajon legjitim dhe ka thënë se ai nuk funksionon në atë mënyrë.

“Nuk ekziston Lindja e Mesme. Shtetet kombëtare u krijuan nga britanikët dhe francezët në vitin 1916. Por Lindja e Mesme nuk funksionon në atë mënyrë. Gjithçka fillon nga individi, familja, fshati, pastaj fisi, komuniteti dhe feja,” tha ai duke shtuar:

“Vetëm në fund vjen kombi.”

Deklarata e Barrackut vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po ndërmjetëson një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Sirisë dhe po përpiqet të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Ai gjithashtu tha se do të donte të udhëhiqte zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, një sërë marrëveshjesh të nënshkruara për herë të parë që normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe kombeve të Azisë Perëndimore e Afrikës.

Deklarata e Barrackut i referohet procesit historik të formësimit të Lindjes së Mesme, veçanërisht marrëveshjes Sykes-Picot të vitit 1916, përmes së cilës Britania e Madhe dhe Franca ndanë territoret osmane të asaj kohe dhe krijuan kufijtë që njohim sot.

Barrack është gjithashtu themelues dhe ish-kryetar i bordit dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Colony Capital, Inc. – një firmë globale e investimeve në kapital privat me seli në Los Angeles (tani e njohur si DigitalBridge), një nga investitorët më të mëdhenj në botë në infrastrukturën digjitale, me rreth 80 miliardë dollarë asete nën menaxhim dhe me operacione në 19 shtete.

Është interesante se Barrack është nipi i emigrantëve katolikë libanezë në SHBA.

Kategoritë
BotaLajme