Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar administratën e presidentit Donald Trump se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka të ngjarë të ndërmarrë veprime që mund të minojnë marrëveshjen e re të paqes ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas raportimit të Washington Post, Netanyahu përballet me presion të madh politik në vend për të vazhduar fushatën ushtarake në Liban, gjë që rrezikon drejtpërdrejt përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë.
Duke cituar zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, gazeta shkruan se Izraeli synon të vazhdojë operacionet ushtarake kundër Hezbollah, duke shkelur kështu një nga elementet kyçe të marrëveshjes së sapo arritur, e cila parashikon ndërprerjen e armiqësive.
Një raport sekret i inteligjencës amerikane arrin në përfundimin se mbijetesa politike e Netanyahut në zgjedhjet e ardhshme të vjeshtës është e lidhur ngushtë me aftësinë e tij për t’i treguar opinionit publik izraelit se nuk do të tërheqë trupat nga Libani.
Sipas raportit, rreth 70 për qind e izraelitëve mbështesin intensifikimin e luftës kundër Hezbollahut, ndërsa një tërheqje e trupave do të perceptohej nga shumë votues si një humbje. Për këtë arsye, në Izrael po shtohet pakënaqësia ndaj marrëveshjes së arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi autoritetet izraelite konsiderojnë se ajo kufizon aftësinë e tyre për t’u përballur me grupet pro-iraniane. Nga ana tjetër, Uashingtoni këmbëngul se Izraeli ruan të drejtën e vetëmbrojtjes në rast sulmi.
Dështojnë bisedimet në Zvicër, Vance me mesazh të ashpër
Tensionet u rritën edhe më shumë të premten, kur Izraeli kreu sulme ajrore në jug të Libanit si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me dron nga Hezbollah, ku mbetën të vrarë katër ushtarë izraelitë.
Për shkak të përshkallëzimit të situatës, zyrtarët amerikanë dhe iranianë shtynë negociatat që pritej të zhvilloheshin në Zvicër, ndërsa nënpresidenti amerikan JD Vance anuloi udhëtimin e planifikuar.
Nga Shtëpia e Bardhë, Vance u dërgoi një mesazh të pazakontë dhe të drejtpërdrejtë autoriteteve izraelite:
“Donald Trump është i vetmi lider shtetëror në botë që në këtë moment tregon mirëkuptim për kombin izraelit, dhe në të njëjtën kohë është udhëheqësi i superfuqisë botërore. Po të isha pjesë e qeverisë izraelite, ndoshta nuk do ta sulmoja aleatin tim të vetëm të fuqishëm që më ka mbetur në botë”, tha ai.
Më herët, edhe vetë Trump kishte pranuar se ka një “mosmarrëveshje të vogël për Libanin” me Netanyahun, duke thënë se i kishte bërë të qartë se “nuk mund të rrëzosh një ndërtesë sa herë që pranë saj kalon dikush nga Hezbollah”.
“Recetë për katastrofë”
Aktualisht, ushtria izraelite kontrollon më shumë se 300 kilometra katrorë territor në Liban, duke krijuar një “zonë sigurie”, ndërsa mbi një milion banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 3.000 persona janë vrarë që nga mesi i marsit.
Analistët paralajmërojnë se qëndrimi afatgjatë në Liban mund të jetë “recetë për katastrofë”, por anëtarët e krahut të djathtë në qeverinë e Netanyahut kundërshtojnë çdo tërheqje.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi në rrjetet sociale se për çdo lot të një nëne izraelite duhet të qajnë një mijë nëna libaneze, duke shtuar se “i gjithë Libani duhet të digjet”.
Ish-analisti i inteligjencës ushtarake izraelite, Danny Citrinowicz, tha për Washington Post se Netanyahu po rrezikon një përplasje serioze me Trumpin.
Ndërkohë, ish-analisti i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së (DIA), Harrison Mann, theksoi se Uashingtoni ka mjete të forta presioni ndaj Tel Avivit, përfshirë pezullimin e furnizimeve me municion dhe karburant për avionët luftarakë, ndërprerjen e mbështetjes teknike, ngrirjen e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës dhe madje tërheqjen e forcave amerikane që ndihmojnë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Izraelit.
Megjithëse presidentët amerikanë rrallëherë kanë përdorur masa të tilla ekstreme, analistët paralajmërojnë se paparashikueshmëria e administratës aktuale në Uashington mund të sjellë një dinamikë krejtësisht të re në marrëdhëniet SHBA-Izrael nëse Netanyahu vendos të sabotojë marrëveshjen historike me Iranin.

















