Aktivistët protestojnë jashtë zyrës së BBC-së në Londër për “fshehjen e gjenocidit” në Gaza

Grupi bëri thirrje për armëpushim në Gaza si dhe dënoi sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës. Ata thërrisnin “BBC, turp për ty” dhe “BBC nuk mund të fshihesh, po mbështet gjenocidin”

Shumë aktivistë kanë protestuar jashtë zyrave të BBC-së në Londër, duke akuzuar transmetuesin për “fshehjen e gjenocidit” në Gaza përmes mbulimit të tij, raporton Anadolu.

Të mbledhur jashtë selisë së BBC-së në Portland Place si pjesë e një “demonstrimi emergjent” kritikuan mbulimin e transmetuesit mbi Gazën, ku më shumë se 52 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet e Izraelit që nga 7 tetori i vitit 2023.

Ata mbanin flamuj palestinezë dhe pankarta me slogane të ndryshme, përfshirë “Ndaloni armatosjen e Izraelit”, “Hebrenjtë kundër gjenocidit” dhe “BBC e përgjakshme”.

Grupi gjithashtu bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza si dhe dënoi sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës. Ata thërrisnin “BBC, turp për ty” dhe “BBC nuk mund të fshihesh, po mbështet gjenocidin”.

Tubimi erdhi pasi BBC tërhoqi një dokumentar për Gazën në muajin shkurt, një veprim që ka shkaktuar reagime të ashpra. I titulluar “Gaza: Si të mbijetosh në një zonë lufte”, filmi u bashkëregjizua nga regjisori fitues i çmimit Emmy, Jamie Roberts dhe jep një pamje të jetës në Gaza.

Duke folur në tubim, Faris Amer nga organizata Forumi Palestinez në Britani, kritikoi veprimin e transmetuesit për tërheqjen e dokumentarit, duke theksuar se këta dokumentarë as nuk tregojnë historinë e plotë, por vetëm aspekte. Sipas tij, duke vepruar kështu, BBC thotë se qëllimi i tyre “nuk është të informojnë”.

Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur kalimet e Gazës për ushqim, ndihmë mjekësore dhe humanitare, duke thelluar krizën tashmë humanitare në enklavë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, pothuajse 2.4 milionë njerëz në Gaza jetojnë plotësisht të varur nga ndihma humanitare.

Të paktën 52.600 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kategoritë
BotaLajme