Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë ndaj dy personave për fajde. D.Sh. akuzohet për veprat penale “fajde”, “kanosje” si dhe “posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Ndërsa A.Sh. akuzohet për veprën penale “kanosje”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Sh., nga data 01.09.2022 e në vazhdimësi deri me datë 07.11.2024 në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon tek i pandehuri me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr 3.000 € (tremijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 (treqind) euro kamata mujore”, thuhet në njoftim.
I dëmtuari thuhet se për 6 muaj rresht vazhdon të paguaj nga 300 euro kamata mujore.
“Pastaj në muajin mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 4.000 € (katër mijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguaj 700 € (shtatëqind) euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej 7.000 € (shtatëmijë euro), kërkon kamatë mujore në shumë prej 1.500 € (njëmijë e pesëqind) euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18.000 (tetëmbëdhjetë mijë) euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Fajdeja’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, i pandehuri D.Sh., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., siç thuhet, me fjalë se do ta privoj nga jeta. “Përmes rrjetit social ‘Facebook’, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘kanosja’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit pas arrestimit, gjatë kontrollit, thuhet se i ishte gjetur edhe marihuanë.
“Gjithashtu, i pandehuri D.Sh., pasi arrestohet nga ana e policisë për veprën penale “Fajdeja”, pas kontrollit trupor, të njëjtit i është gjetur një mbështjellje me foli alumini të materies së bimës së tharë të llojit marihuanë dhe 1 (një) filtër i cigares e cila dyshohej të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë, dhe pas testimit të kësaj substance, ka rezultuar të jetë pozitiv me përmbajtje të marihuanës, në peshë prej 1.2 gram. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ sipas KPRK-së”.
Ndërsa, i pandehuri A.Sh., me datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit, shkaktimit të ankthit, seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K., dhe F.K. – i cili thuhet se ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur.
“I pandehuri duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K., është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë tek i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheq deklaratën e tij në prokurori, përmes aplikacionit “ËhatsApp”, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K.,(të miturit) mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i pandehuri A.Sh., ka kryer veprën penale “kanosja” sipas KPRK-së”, , thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.