Aktakuzë ndaj ish-zyrtarit të Prizrenit për 128 mijë euro dëm Komunës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet I. B., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës,  i pandehuri I. B., akuzohet se prej muajit mars e deri në fund të vitit 2016, në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, duke mos respektuar procedurat ligjore, paraqet kërkesë për shpallje të tenderit për projektin “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç’rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 28 mijë euro.

Poashtu i njëjti akuzohet se gjatë vitit 2017, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, pa respektuar procedurat e parapara ligjore, pa kërkuar leje nga organet kompetente qendrore, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç’rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 100 mijë euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Kategoritë
LajmeVendi