Ajeti: Vizat hap drejt rrugëtimit të pakthyeshëm në Bashkimin Evropian

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, tha se liberalizimi i vizave është vetëm një hap drejt rrugëtimit tonë të pakthyeshëm drejt Bashkimit Evropian.

Ai këto komente i bëri në një atmosferë festive ku është shënuar liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës .

“Në mesin e shumë miqve e pranishme ishte edhe Ministrja për Evropë dhe Klimë, Anna Lührmann, deputetë të ndryshëm të Bundestagut, përfaqësues të institucioneve gjermane, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile e miq gjermanë. Falënderues dhe mirënjohës përkrahjes së vazhdueshme gjermane ndaj Republikës sonë”, tha ai.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

Kategoritë
LajmeVendi