Edhe pse selia e Papës ndodhet në Vatikan dhe përfaqëson Selinë e Shenjtë të Kishës Katolike Romake, në Evropë ekziston edhe një kishë tjetër që e konsideron liderin e saj si papën e vërtetë dhe të vetëm. Marrëdhëniet mes kësaj kishe dhe Vatikanit janë të ndërprera që nga viti 1978.
Bëhet fjalë për Kishën e Krishterë Palmariane, e cila ndodhet në El Palmar de Troya, në Spanjë. Që nga viti 2011, ajo drejtohet nga Markus Josef Odermatt, 59 vjeç, nga Zvicra, i cili mban emrin papnor Papa Pjetri III.
Origjina e kishës
Kjo kishë lindi nga një konflikt i brendshëm në Vatikan pas vdekjes së Papa Palit VI në vitin 1978.
Palmarianët pretendojnë se papa ishte helmuar gradualisht me drogë nga Kuria Romake për t’ia pamundësuar ushtrimin e funksioneve.
Në të njëjtën kohë, në Spanjë u shfaq një njeri me emrin Clemente Domínguez Gómez, i cili pretendonte se kishte vegime të Virgjëreshës Mari, që i fliste kundër heresive dhe progresizmit të Kishës Katolike Romake.
Në vitin 1976, ai humbi plotësisht shikimin në një aksident trafiku, por vazhdoi të pretendonte se merrte mesazhe hyjnore. Sipas vegimeve të tij, Virgjëresha i tha se ai do të ishte “Pjetri i ardhshëm”, papa që do të forconte fenë dhe kishën.
Shpallja si papë dhe ndarja nga Vatikani
Në vitin 1978, ai u vetëshpall papa Grigori XVII, duke pretenduar trashëgiminë e Palit VI dhe shpalli shkëputje të plotë nga Vatikani. Sipas ndjekësve të tij, me vdekjen e Papa Palit VI kishte përfunduar “apostazia e përgjithshme” e Kishës Romake.
Ata e konsiderojnë Papa Gjon Palin I si “antipapë”, një “ujk në petkun e deles”, duke e akuzuar për masoneri.
Domínguez e udhëhoqi kishën deri në vitin 2005, kur vdiq dhe u pasua nga Papa Pjetri II, i cili shërbeu deri në 2011. Prej atëherë e deri më sot, udhëheqës është Papa Pjetri III (Markus Odermatt).
Doktrina dhe ndjekësit
Palmarianët pretendojnë se janë e vetmja kishë e vërtetë dhe e shenjtë: “Një, e Shenjtë, Katolike, Apostolike dhe Palmariane.”
Sipas tyre:
“Ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe diakonët jashtë Kishës Palmariane nuk kanë fuqi të kryejnë asnjë akt të vlefshëm kishtar.”
Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, besohet se mes 1.000 dhe 2.000 vetë janë ndjekës të kësaj kishe të izoluar, që vazhdon të funksionojë në periferi të fesë katolike zyrtare.