A do të jetë nesër ditë pushimi në shkolla, reagon sërish SBASHK-u

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në asnjë formë nuk po pajtohet me vendimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që nesër të jetë ditë pune në shkollat e vendit.

E hëna e fundit e nëntorit i ka gjetur mësimdhënësit dhe nxënësit konfuz. Kjo pasi Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth asaj se a do të zhvillohet mësimi apo do të pushohet ditën e nesërme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se nesër duhet të jetë ditë pushimi, pasi mësimdhënësit i kanë njoftuar kësisoj nxënësit e tyre gjatë ditës së premte sipas kalendarit të këtij viti.

“Ne e kundërshtojmë vendimin e Qeverisë që nesër të zhvillohet mësimi në shkolla. E hëna duhet të jetë ditë pushimi sipas kalendarit të këtij viti. Të premten profesorët e orëve të para të mësimit kanë bashkëbiseduar me nxënësit për 28 Nëntorin dhe pastaj kanë treguar se bazuar në Kalendarin për këtë vit shkollor, e hëna është ditë pushimi”, ka thënë Jashari për Express.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë bërë të ditur se në të gjitha institucionet arsimore në vend, ditën e nesërme do të punohet me orar të rregullt.

Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit Avdullah Hoti, ka thënë për Express, se dita e nesërme është ditë e rregullt e punës, andaj edhe në institucionet arsimore në vend, do të punohet me orar të rregullt.

“Dita e hënës është ditë e rregullt e punës në të gjitha institucionet shtetërore. Në institucionet arsimore në të gjitha nivelet do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti-Covid të ndërmarra nga Qeveria”, ka thënë ajo.

Ndërsa, edhe nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur për Express se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të kryeministrit Hoti, edhe pse nuk është përkrahur nga SBASHK-u.

Nga kjo ministri kanë thënë se mësimi do të zhvillohet në të gjitha shkollat në Kosovë./Gazeta Express/

Kategoritë
LajmeVendi