Kur në shkurt të vitit 2022 Rusia vendosi të sulmojë Ukrainën, duke shënuar pushtimin e parë të hapur të një vendi evropian ndaj një tjetri në 30 vitet e fundit, çdo normalizim i regjimit në Moskë ishte i vështirë për t’u imagjinuar. Dy vite më vonë, situata është krejtësisht ndryshe.
Të paktën kështu tregojnë rezultatet e zgjedhjeve në disa vende që ndodhen në qendër të Evropës, dhe këtë fenomen politik na e kujtuan edhe një herë rezultatet e zgjedhjeve në Austri.
Edhe pse vetëm pesë vite më parë, që nuk është shumë në politikë, pas një skandali serioz të lidhur pikërisht me Rusinë, u përjashtuan nga pushteti, ekstremistët e djathtë të FPO-së tani janë në pozitën më të mirë, të paktën për nga numri i deputetëve në përbërjen e re të parlamentit austriak, për të formuar qeverinë në këtë vend.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura së fundmi, 28.9 për qind e austriakëve që dolën në votime zgjodhën këtë parti dhe u dhanë atyre 57 vende në parlament.
Fatmirësisht, konservatorët e OVP-së e hodhën poshtë shumë shpejt mundësinë e koalicionit me FPO-në, kështu që “putinistët” do të mbeten jashtë pushtetit, të paktën në Austri.
Megjithatë, nëse konservatorët ndryshojnë mendje, dhe është e qartë se kjo mund të ndodhë gjithmonë (FPO ka qenë në pushtet vetëm me OVP-në gjatë 30 viteve të fundit), në zemër të Evropës mund të kemi një “bosht pro-rus”, që do të shtrihej nga Vjena, përmes Bratislavës dhe Budapestit, deri në Beograd.
Qeveritë në tri nga këto katër shtete, me potencialin për një të katërtën nëse FPO arrin në pushtet në Austri, mund të përshkruhen si pjesërisht ose plotësisht pro-ruse. Ndërkohë, tre nga katër shtetet janë gjithashtu anëtare të Bashkimit Evropian, gjë që i jep regjimit në Kremlin një “dritare” të rëndësishme për të destabilizuar situatën në Kontinentin e Vjetër.
Është e qartë se me mbështetjen që regjimet e Viktor Orbanit në Budapest dhe Robert Ficos në Bratislavë gëzojnë në Moskë, Putini po siguron një lloj “kalë troje” për të zbehur ndjeshëm mbështetjen për Ukrainën, duke i dhënë ushtrisë së tij një mundësi më të mirë për fitore.
Me mbështetjen që vjen përmes takimeve, projekteve dhe përfitimeve të ngjashme, vjen edhe një fushatë e rëndësishme dezinformimi, përmes së cilës qytetarët e këtyre vendeve vendosen në gjendje frike, ndërsa partitë e djathta populiste paraqiten si zgjidhjet më të mira.
Shembulli i përsosur është Austria, ku FPO përjetoi një rritje të popullaritetit pasi në gusht u anulua një koncert i superyllit amerikan Taylor Swift për shkak të kërcënimit nga një sulm terrorist.
Edhe pse bëhej fjalë për shtetas austriakë të radikalizuar përmes internetit, filloi një fushatë dezinformimi në rrjetet sociale, ku sulmi i penguar iu atribua “emigrantëve,” dhe FPO arriti të përfitonte nga kjo për të fituar në zgjedhje.
Sigurisht, kjo nuk ishte arsyeja e vetme. Austriakët gjithashtu janë të pakënaqur me cilësinë e jetës dhe inflacionin, i cili ka shkaktuar rritjen e çmimeve që nuk ndjekin rritjen e pagave.
Megjithatë, edhe këtu Kremlini gjeti një mundësi, duke akuzuar Ukrainën dhe dërgimin e parave në këtë vend për këto probleme përmes partive të djathta. Analistët kanë mohuar këto pretendime shumë herë, duke e lidhur inflacionin kryesisht me efektet e vendimeve ekonomike gjatë pandemisë, por kjo nuk i ndalon partitë e djathta të adoptojnë dhe përdorin retorikën ruse për përfitimet e tyre.
E gjithë kjo, thënë thjesht, është modus operandi i ndikimit të keq rus, i cili ka tipare shumë të qarta përmes sukseseve të partive ekstremiste të djathta në Austri, Hungari, Sllovaki, por edhe në vende të tjera evropiane. Fuqi të rëndësishme kanë edhe partitë e djathta pro-ruse në Gjermani, Francë dhe Spanjë, megjithëse këto shtete kanë mjaft forcë demokratike për të refuzuar këtë sulm.
Sigurisht, këtu mund të përfshihet absolutisht edhe Serbia. Presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar disa herë etiketën e “lojtarit rus,” por përfshirja e vazhdueshme e figurave si Ivica Daçiç dhe Aleksandar Vulin në pozita të fuqisë, si dhe marrëdhënia e mirë me Milorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Srpska dhe mbështetësin më të hapur të politikës së Vladimir Putinit, sugjeron që Vuçiç ende ka një marrëdhënie, që mund të mos jetë eksplicite dhe e drejtpërdrejtë, me presidentin rus.
Për më tepër, të gjitha metodat që vijnë nga Rusia Vuçiç i ka aplikuar plotësisht në Serbi, veçanërisht sa i përket retorikës mediatike. Kur kësaj i shtojmë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Vuçiçit dhe Orbanit, lojtarit më të madh rus në BE, marrim një bosht të qartë të pushteteve pro-ruse në zemër të Evropës.
Tani gjithçka është në dorën e konservatorëve në Austri, të cilët kanë mundësinë të zgjerojnë këtë “Bosht të Putinit” deri në Vjenë ose ta ndalojnë atë këtu. Hyrja në pushtet me FPO-në do të kishte përparësi për OVP-në, siç është qeverisja më e qëndrueshme. Koalicioni me SPO-në do të nënkuptonte përfshirjen e të Gjelbërve ose NEOS-it për një shumicë të qëndrueshme, ndërsa me FPO-në do të kishin një numër më se komod mandatesh.
Megjithatë, OVP-ja duhet vetëm të kujtojë se qeveria e mëparshme me FPO-në përfundoi me skandalin Ibiza, gjithashtu të lidhur me Rusinë, dhe se ministrja e atëhershme e jashtme nga radhët e FPO-së sot është një bashkëpunëtore e rëndësishme e Vladimir Putinit.
Gjithçka është në duart e Karl Nehammerit, kancelarit të Austrisë dhe presidentit të OVP-së, dhe infiltrimi i mëtejshëm i partive pro-ruse në Evropë mund të jetë një problem tepër serioz.