3 civilë të vrarë dhe 35 të plagosur në sulmin ukrainas me dron në një qytet rus

– Guvernatori i rajonit Udmurtia tha se 10 nga 35 të plagosurit janë në gjendje kritike.

Sulmet ukrainase me dronë në qytetin rus Izhevsk kanë vrarë tre civilë dhe kanë plagosur 35, thanë sot autoritetet rajonale, transmeton Anadolu.

Aleksandr Brechalov, kreu i rajonit Udmurtia të Rusisë, tha në Telegram se Ukraina shënjestroi një strukturë ushtarako-industriale, duke lëshuar dronë nga territori ukrainas.

“Miq, aktualisht jam në spitalin në Izhevsk. Deri tani, kemi tre viktima dhe 35 individë janë shtruar në spital, ndër të cilët dhjetë janë në gjendje kritike. Po ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme mjekësore, përfshirë mbështetjen nga qendrat mjekësore federale”, tha ai.

Guvernatori tha se diskutoi incidentin me presidentin rus Vladimir Putin, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve të atyre që humbën jetën dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

Brechalov shtoi se shërbimet e emergjencës janë dërguar në vendngjarje. Udmurtia më parë kufizoi fluturimet për në dhe nga aeroporti i Izhevskut.

Të gjitha ngjarjet masive të planifikuara për 1 dhe 2 korrik u anuluan për të nderuar viktimat, tha Brechalov.

Izhevsk është shtëpia e disa fabrikave të operuara nga Kalashnikov Holding Company, e cila prodhon produkte si civile, ashtu edhe ushtarake.

Mediat ukrainase, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve Ukrinform, raportuan më vonë se Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) goditi Uzinën Elektromekanike Kupol në Izhevsk në një sulm me dron.

“Objektivi ishte më shumë se 1.300 kilometra larg”, cituan mediat një burim në SBU, duke pretenduar se objekti specializohet në prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Tor dhe Osa.

Kategoritë
BotaLajme