​Osmani letër KQZ-së: Rishikoni vendimin, vota s’kushtëzohet me një telefonatë

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani i ka dërguar letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me procesin e votimit dhe verifikimit të aplikimeve për votim të mërgatës

Osmani ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin që ndër të tjera KQZ-ja ka vendosur t’i refuzojë aplikacionet e bashkatdhetarëve në rast se ata nuk lajmërohen në telefon në kohen e telefonimit nga KQZ-ja.

“Përmes kësaj shkrese, më lejoni ta shpreh shqetësimin tim lidhur me këtë vendim. E drejta e votës është e drejtë fondamentale, e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Si e tillë, e drejta e votës është e drejtë e patjetërsueshme e cila nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë. Ky vendim, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”, thuhet në letrën e Osmanit.

Sipas saj, ndonëse në parim mund të kuptojë qëllimin për parandalimin e keqpërdorimeve në procesin zgjedhor, nga ana tjetër druan se një veprim i tillë mund të shkaktojë dëme të mëdha në procesin zgjedhor duke e cenuar integritetin e tij.

“Cenimi i integritetit e besueshmërisë së procesit do të krijonte pastaj vonesa të mëdha deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor. Andaj, duke e pasur për qëllim interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor në vend, si dhe duke marrë për bazë detyrimin tim kushtetues që të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve në vend, ju lus ta rishqyrtoni arsyeshmërinë e vendimit të lartpërmendur”, përfundon letra e Osmanit.

Kategoritë
LajmeVendi