Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj i cili është kandidat për kryeministër të vendit, ka thënë se partia ende nuk ka biseduar për koalicionet që mund t’i kenë me subjektet e tjera politike. Por sipas tij, ende ka kohë deri në dorëzimin e listave, megjithëse është shprehur i bindur që të gjithë në PDK janë pajtuar që në këto zgjedhje të garohet vetëm me llogon e kësaj partie.
Enver Hoxhaj ka mohuar se në PDK ka qëndrime të ndryshme sa i përket mundësisë së koalicionit me Nismën Socialdemokrate.
“Ende nuk kemi biseduar për koalicionet që mund t’i kemi me subjekte të tjera politike. Qëndrimi i gjithë kolegëve është që PDK duhet të garojë me identiteti e saj, llogon e saj, por ende ka kohë dhe hapësirë, por nuk ka qenë temë e debatit deri më tash dhe nuk ka për asnjë temë dy qëndrime, ka vetëm një qëndrim të PDK dhe nganjëherë nëse mungon një qëndrim prej meje unë nuk jap opinione për tema të caktuara meqë e kam këtë pozitë, unë jap fakte dhe faktet janë vetëm emëruesi i përbashkët i mendimeve të të gjithë kolegëve në PDK, dhe emërues i përbashkët i gjithë opinioneve në PDK është që PDK duhet të garojë në këto zgjedhje me identitetin e saj, por ende nuk janë dorëzuar listat dhe ende ka kohë, por nuk ka dy opinione as në raport me koalicionet e mundshme”, tha Hoxhaj.
Hoxha, i cili synon posti ne kryeministrit të vendit, ka thënë se me të në krye të Qeverisë do të ketë tjetër dinamikë punë e cila sipas tij do të shihet qysh në muajin e parë.
“Jam pa konkurrencë, dhe vetëm telefonatat që i kam pranuar kohëve të fundit, ato të cilat nuk i bëj publike me urime, tregojnë që ka një besim në mesin e partnerëve perëndimor kur të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Kosovës, Partia Demokratike dhe unë, dhe çka dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës, që kam qenë gjatë aktiv në politikë të jashtme, kam qëndrim dinjitoz dhe jashtëzakonisht kurriz të fortë për mos me lëshu pe asgjë në shërbim të Kosovës, ju do të shihni çfarë dinamike do të ketë në muajin e parë dhe në javët e para në atë moment kur unë do të udhëheqë Qeverinë e Kosovës, sa i takon temave të jashtme dhe të dialogut Kosovë-Serbi”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj konsideron se është figura e duhur për të drejtuar Qeverinë e re të Kosovës dhe se vetëm ai e kupton që mund të krijohet një momuntum i ri diplomatik pas fitores së Joe Biden në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, mund të krijohet një momentun i ri që nuk nënkupton dialog teknik e as negociata pa fund e qëllim me Serbinë.
Madje, sipas tij, nuk mund të ketë marrëveshje paqësore me Serbinë pa adresim të problemeve që i kanë shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Kjo edhe ishte tema për të cilën Hoxha doli sot të flas në konferencë për media, që sipas Hoxhajt, çështja e Luginës do të jetë temë kryesore në dialog.
“Nuk mundtë ketë marrëveshje paqësore dhe njohje të ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë pa u adresu çështja e Luginës së Preshevës të të drejtave të shqiptarëve aty dhe kjo do të jetë pikë kyqe në negociatat e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në listën tonë për deputet të PDK-së do t’i kemi dy kandidatë që do të jenë zëri i preshevarëve në kuvendin e Kosovës të cilët do të garojnë në kuadër të listës së PDK”, tha ai.
Hoxhaj tha se do të ketë edhe kornizë ligjore, në rrafshin financiar, politik, arsimor e kulturor për mbështetje të qytetarëve që jetojnë në Luginë.