Partia Demokratike e Kosovës po e konsideron ‘dështim’ menaxhimin e pandemisë në shkollat e Kosovës, duke thënë se nuk po ofrohen masa mbrojtëse anti-COVID, e që sipas tyre shumë nga to janë mbyllur si shkak i infektimit të nxënësve dhe mësimdhënësve. Ndër tjera, po thonë se qeveria aktuale, njëjtë si e Kurtit, po dështon në ofrimin e mësimit online, ku nxënësit kosovarë po humbin komplet një vit shkollor duke shikuar vetëm ligjërata të përsëritura në televizion. Akuza po hedhën edhe për ndërhyrje politike në arsimin e lartë.
Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha të shtunën ka shprehur shqetësimin se si shkak i papërgjegjësisë së kësaj qeverie, nuk janë duke u zbatuar masat mbrojtëse kundër COVID-19 në institucionet edukative-arsimore.
Hoxha: Shkollat nuk janë të furnizuara me dezinfektues
“Sot shkollat në Kosovë nuk janë të furnizuara me dezinfektues, nuk bëhet dezinfektim i rregullt i hapësirave publike në shkolla, nuk dërgohen fare ekipet mjekësore të cilat duhet të përkujdesen për shëndetin e nxënësve, mësimdhënësve, stafit teknik dhe administrativë, si rezultat i këtij moskujdesi virusi po përhapet me shpejtësi të madhe në shumë shkolla anë e kënd Kosovës. Qeveria e Kosovës edhe pse bëri ri-shikimin e buxhetit në kohë pandemie, nuk parashikoi mjete financiare shtesë me të cilat do të mund ta rriste nivelin e respektimit të masave mbrojtëse në shkolla”, theksoi Hoxha.
Sipas tij, qeveria e Albin Kurtit në kohën e pandemisë la pa inkuadruar në mësim-online rreth 32 mijë nxënës, e që dështim i njëjtë, sipas tyre, po ndodh edhe në qeverinë aktuale.
Hoxha: Në shkollën “Mihail Grameno” kanë mbetur pa mësim 3400 nxënës
“Dështim i njëjtë po ndodh edhe me qeverinë Hoti, e cila u mundua të kamufloj një strategji të organizimit të mësimit në kohë pandemie përmes tri skenarëve A, B dhe C. Një qeveri që del me tre skenarë, tregon që nuk e ka as edhe një të vetëm. Edhe gjatë aplikimit të skenarit C, pra ndjekjen e mësimit online përmes RTK-së, në shumë shkolla nuk u aplikua fare mësimi online përmes platformave digjitale si zoom, google meet apo edhe platforma të tjera. Po japim vetëm një shembull konkret ku vetëm në Shkollën “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë” kanë mbetur pa mësim, rreth 3400 nxënës, në këtë shkollë për 14 ditë nuk është organizuar fare mësimi, në bazë të një kalkulimi të thjeshtë del që rreth 5200 orë janë të humbura në mungesë të ofrimit të mësimit online”, shtoi Hoxha.
Ndër tjera, deputeti i PDK-së u shpreh se nuk ka asnjë informatë se çfarë po ndodhë me vijimin e mësimit në fshatra më të thella të Kosovës. Për çka ka kërkuar nga qeveria Hoti që të organizoj vizita të rregullta të psikologeve në shkolla në mënyrë që të ketë kujdes të shtuar për shëndetin mendor të nxënësve sidomos në këtë kohë pandemie.
Veç tjerash, Hoxha ka kritikuar këtë qeveri edhe për ndërhyrje politike në arsimin e lartë.
Hoxha: Është për të ardhur keq se si kjo qeveri po i politizon universitetet publike
“Është për të ardhur keq se si kjo qeveri po i politizon universitetet publike duke emëruar në bordet e tyre militant politikë të cilët nuk kanë përgatitje akademike dhe profesionale për t’i menaxhuar universitetet. Në Bordin e Universitetit Haxhi Zeka në Pejë u emërua shefi i grupit të Këshilltarëve të AAK-së dhe motra e një deputeti të kësaj partie. Ngjashëm veproj edhe ish-ministrja Hykmete Bajrami kur e shkarkoi bordin e UP-së dhe pastaj në këtë bord emëroi persona të cilët punojnë në kolegje private. Kjo qeveri është duke ndërhyrë në mënyrë flagrante edhe në agjencitë e pavarura. Rasti i fundit i një ndërhyrje skandaloze është vendimi i Ministrit të Arsimit për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Ne jemi për rritjen e studentëve të mjekësisë, por jo duke ndërhyrë jashtëligjshëm në agjencitë e pavarura”, ka përfunduar Hoxha.
Mes tjerash, PDK ka njoftuar se nga java e ardhshme do të ftojnë në përgjegjësi ministrin e Arsimit dhe Shkencës, për të gjitha veprimet gjatë mandatit të tij.