Drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Politike të SHBA-së në Ministrinë e Jashtme të Sirisë, Qutaiba Idlibi deklaroi se janë duke vazhduar përpjekjet për procesin e integrimit në verilindje të Sirisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Politike të SHBA-së në Ministrinë e Jashtme të Sirisë, Qutaiba Idlibi deklaroi se janë duke vazhduar përpjekjet për procesin e integrimit në verilindje të Sirisë.
Idlibi në një prononcim për Anadolu foli në lidhje me procesin e integrimit në verilindje të Sirisë, marrëdhëniet e qeverisë së Damaskut me SHBA-në dhe Turqinë si dhe politikën rajonale të Izraelit.
Duke komentuar qasjen e administratës amerikane ndaj organizatës terroriste PKK/YPG, e cila përdor emrin SDF në Siri dhe ndërveprimin e saj me qeverinë e Damaskut, Idlibi tha se “SHBA-ja po kalon një ndryshim rrënjësor në luftën kundër DEASH-it.”
Idlibi mbrojti idenë se kërkesa buxhetore e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së për organizatën dhe bashkëpunëtorët e saj në rajonin e pushtuar nga PKK/YPG për vitin e ardhshëm është “propozim teknik”.
“SHBA-ja na ka deklaruar qartë se qeveria siriane do të jetë partneri kryesor në luftën kundër DEASH-it në periudhën e ardhshme. Sapo të zbatohet marrëveshja (midis presidentit sirian Ahmed al-Sharaa dhe Mazloum Abdi Shahin të datës 10 mars), çdo bashkëpunim, partneritet ose mbështetje do të ofrohet direkt përmes qeverisë siriane. Kjo do të reflektohet edhe në buxhetet përkatëse të administratës amerikane në të ardhmen”, tha ai.
Lidhur me bisedimet e zhvilluara midis PKK/YPG dhe qeverisë së Damaskut në Paris, ku morën pjesë zyrtarë amerikanë dhe francezë, Idlibi shtoi se po punohet për të përshpejtuar mekanizmat e zbatimit të Marrëveshjes së 10 marsit dhe se po afron koha për rezultatin përfundimtar, i cili duhet të arrihet para fundit të vitit, sipas orarit.
– “Zgjidhja nuk është krijimi i strukturave të reja administrative”
Idlibi tha se ata po ndjekin një qasje realiste ndaj situatës në terren, duke thënë “Ne sigurisht e kuptojmë situatën aktuale dhe lidhjet e SDF-së me komunitetin kurd. Por, në të njëjtën kohë, ne e themi qartë se SDF nuk përfaqëson të gjitha komunitetet siriane në verilindje. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të kalojmë në fazën tjetër. Kjo është një zgjidhje që kënaq popullsinë lokale në këto rajone dhe është në përputhje me modelin e ri të shtetit sirian”.
Ai theksoi se problemet e përjetuara nga kurdët në Siri në të kaluarën tani janë bërë të mundura për t’u zgjidhur me mjete politike. “Megjithatë, zgjidhja nuk është krijimi i strukturave të reja ligjore ose administrative. Përndryshe, kjo do të sjellë vetëm probleme të reja në Siri dhe rajon”, shtoi Idlibi.
Pasi shpjegoi se hapa të tillë si rivendosja e shtetësive të fituara më parë ose shtimi i përmbajtjes pasuruese në kurrikulat arsimore janë të mundshme për komunitetin kurd në Siri, Idlibi tha se “Çdo rajon mund të vendosë brenda vendit se cilat kurse të shtojë. Komuniteti kurd mund të shtojë gjuhën kurde në arsimin e tyre ndërsa komuniteti turk mund të shtojnë turqishten. Kjo mund të zbatohet brenda një kuadri më të gjerë”.
– “Përvoja kurde në Siri nuk është një gjë e re”
Idlibi tha se asnjë palë nuk duhet t’ia imponojë mënyrën e jetesës dhe mendimin e saj një tjetre.
“E kemi parë këtë shpesh në zonat nën kontrollin e SDF-së në verilindje të Sirisë. Prandaj, duhet të veprojmë duke i dhënë përparësi interesave të komunitetit kurd. Propozimet e paraqitura nga qeveria siriane sot janë drejtpërdrejt në interes të këtij komuniteti. Si kurd, them se përvoja kurde në Siri nuk është një gjë e re. Qindra mijëra kurdë kanë jetuar në këtë vend për shekuj me radhë. Madje, ka pasur tre presidentë me origjinë kurde në historinë siriane. Kjo tregon se kurdët janë të pranuar dhe me ndikim në shoqërinë siriane. Le të ruajmë identitetin tonë dhe të integrohemi plotësisht në identitetin sirian”, potencoi ai.
– Deir ez-Zor mund të jetë një strukturë model
Në fjalën e tij, Idlibi tha se po vlerësojnë mënyrat për të filluar praktikën e parë të bisedimeve të integrimit në Deir ez-Zor. “Duam të krijojnë një model pozitiv për integrimin e strukturës lokale në Deir ez-Zor dhe institucioneve shtetërore siriane. Nëse mund ta krijojmë këtë model siç duhet, ai mund të shërbejë si shembull dhe nxitje për rajone të tjera në Sirinë verilindore”, thekson ai.
Idlibi rikujtoi se pavarësisht arritjes së dakordimit më parë në bazë të Marrëveshjes së 10 marsit për çështje të tilla si rihapja e Digës Tishrin dhe tërheqja e organizatës nga lagjja Sheikh Maqsoud me lënien e disa “elementëve të sigurisë lokale”, por duke dhënë liri hyrjeje dhe daljeje në rajon, këto marrëveshje nuk janë zbatuar.
Ai theksoi “mungesën e unitetit” brenda organizatës, e cila përdor emrin SDF, duke thënë “Duket se ka mendime të ndryshme brenda udhëheqjes. Disa po kërkojnë seriozisht zbatimin e marrëveshjes, ndërsa të tjerët po kërkojnë justifikime për të vonuar zbatimin e saj”.
– “Shtet brenda shtetit nuk mund të pranohet”
Në pyetjen në lidhje me kërkesat e PKK/YPG-së për t’u bashkuar me ushtrinë siriane si bllok dhe për të ruajtur praninë e saj në një farë mënyre, Idlibi tha “Marrëveshja e 10 marsit është shumë e qartë për këtë çështje. Integrimi në të vërtetë do të thotë pjesëmarrje e plotë në institucionet shtetërore. Struktura të tilla si një ushtri brenda një ushtrie ose një shtet brenda një shteti janë plotësisht të papranueshme në Siri”.
Ai vlerëson se modelet e ngjashme me Hezbollahun libanez janë të padëshirueshme në Siri dhe nuk do të sjellin sukses. “Prandaj, baza për negociata është shumë e qartë. Ne themi se institucionet shtetërore janë të hapura për këdo që dëshiron të shërbejë dhe të mbrojë vendin e tij, qoftë civil apo ushtarak. Ne jemi absolutisht të përkushtuar ndaj këtyre parimeve. Nuk mund të ketë tërheqje. Progresi i Sirisë mund të ndërtohet mbi këto themele të forta”, tha Idlibi.
Pasi paralajmëroi se duhet t’i kushtohet vëmendje afatit kohor të integrimit, Idlibi tha se “Disa duket se besojnë se atmosfera politike do të ndryshojë me kalimin e kohës, se presioni mbi ta do të ulet dhe kështu ata mund ta zvarrisin këtë proces. Megjithatë, nëse ata që veprojnë vërtet me logjikë të shëndoshë e humbasin këtë mundësi, jo vetëm Siria, por edhe komuniteti kurd do të humbasë një mundësi historike”.
“Presioni mbi çështjen e integrimit nuk mund të shpjegohet vetëm nga faktorë të jashtëm. Përveç qasjes së SHBA-së, Francës dhe madje edhe Turqisë, komunitetet lokale në Sirinë verilindore, qofshin arabe apo kurde, nuk duan që situata aktuale të vazhdojë. Kjo do të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi SDF-në për të zbatuar marrëveshjen”, tha Idlibi.
– “Është hequr dorë nga qasja e shantazhit dhe krijimit të paqëndrueshmërisë në politikën e jashtme”
Idlibi deklaroi se heqja e plotë e sanksioneve të SHBA-së dhe OKB-së ndaj Sirisë, të trashëguara nga epoka e regjimit të rrëzuar dhe proceset e vazhdueshme në këtë drejtim janë thelbësore për transformimin në Siri.
Zyrtari sirian potencon se qeveria e Damaskut është e hapur për të gjitha llojet e bashkëpunimit dhe partneritetit, jo vetëm me SHBA-në, por me të gjitha palët. “Qëllimi ynë kryesor është të krijojmë marrëdhënie pozitive me të gjithë. Ne e dimë se eliminimi i problemeve tona të jashtme nuk është i lehtë. Por, si qeveri siriane, ne kemi besim të plotë në këtë dhe do të vazhdojmë të përpiqemi në këtë drejtim”, shtoi ai.
Në vijim Idlibi tha se “Është hequr dorë nga qasja e shantazhit dhe krijimit të paqëndrueshmërisë në politikën e jashtme. Në vend që të përpiqemi të marrim mbështetje financiare përmes këtij mjeti, ne po kërkojmë bashkëpunim bazuar në interesa të përbashkëta”.
Sipas tij, populli sirian ka vuajtur mjaftueshëm dhimbjen e luftërave me regjimin e Asadit, Iranin dhe Rusinë gjatë 14 viteve. “Ne nuk duam të futemi në një luftë të re me asnjë palë. Prandaj, po përpiqemi të zgjidhim çështjet e brendshme dhe të jashtme me mjete politike. Qëllimi ynë është të sigurojmë stabilitetin e Sirisë, të ruajmë pavarësinë e saj dhe në të njëjtën kohë, të ruajmë stabilitetin për rajonin në tërësi”, tha Idlibi.
– “SHBA-ja e kupton mirë ekuilibrin”
Kur u pyet “A ka presion mbi qeverinë e Damaskut për t’u bashkuar me Marrëveshjet e Abrahamit?”, Idlibdi u përgjigj: “Nuk ka presion mbi Damaskun në këtë drejtim”.
Idlibi tha se Siria është një “valvul sigurie” për stabilitetin e përgjithshëm të Lindjes së Mesme. “Bashkëpunimi me qeverinë siriane zhvillohet në bazë të këtij mirëkuptimi. Mbështetja e stabilitetit të Sirisë është e vetmja mënyrë për të garantuar stabilitetin rajonal. Siria aktualisht shërben si një barrierë që parandalon ekspansionizmin e Iranit dhe milicive të tij në rajon. Ajo gjithashtu parandalon përpjekjet e palëve të tjera për të destabilizuar rajonin”, tha ai.
Idlibi thotë se nevoja më e madhe e Sirisë është ndërprerja e sulmeve në territorin e saj dhe shpjegoi se “Tërheqja e Izraelit nga zonat ku hyri pas 8 dhjetorit 2024 përbën bazën minimale për stabilitetin rajonal”.
Pasi mbrojti idenë se administrata e Washingtonit ka shqetësime serioze në lidhje me ndërhyrjet e Izraelit në Siri, Idlibi tha se “Paqëndrueshmëria në Siri nënkupton kthimin në Siri jo vetëm të DEASH-it, por edhe të grupeve të armatosura të lidhura me Iranin”.
“SHBA-ja e kupton shumë mirë këtë ekuilibër. Prandaj, po ushtrojnë sa më shumë presion të jetë e mundur mbi të gjitha palët, përfshirë Izraelin, për të ndaluar këtë politikë”, tha Idlibi.
– “Turqia ashtu si në të kaluarën do të vazhdojë të luajë rol të madh dhe kyç në të ardhmen”
Idlibi gjithashtu foli mbi përpjekjet e Turqisë për të fituar pranimin ndërkombëtar për administratën e re siriane dhe për të hequr sanksionet. “Nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, qeveria turke ka bërë përpjekje të konsiderueshme, veçanërisht në nivelin politik, për të ndërmarrë hapa efektivë për të lehtësuar sanksionet ndërkombëtare kundër Sirisë. Si rezultat i negociatave të gjata që Ankaraja zhvilloi nën praninë e Washingtonit, SHBA-ja u vendos nën presion për të hequr sanksionet kundër Sirisë”, tha ai duke shtuar:
“Kjo mbështetje politike do të kontribuojë jo vetëm në rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë, por edhe në unitetin e vendit dhe në forcimin e marrëdhënieve të saj me Turqinë. Turqia do të vazhdojë të luajë rol të madh dhe kyç në të ardhmen, siç ka luajtur në të kaluarën. Zyrtarët që veprojnë me të vërtetën se Siria nuk mund t’i shpëtojë gjeografisë së saj, po i kushtojnë rëndësi të veçantë partneriteteve me aktorët rajonalë”.
Idlibi tha se vendndodhja strategjike e Sirisë dhe qasja e saj e re ndaj bashkëpunimit operacional do të mbështesin prosperitetin dhe stabilitetin jo vetëm brenda vendit, por në të gjithë rajonin. “Marrëdhënia midis Turqisë dhe Sirisë nuk kufizohet vetëm te fqinjët kufitarë. Përkundrazi, ajo bazohet në një histori të thellë dhe të përbashkët që shtrihet në shekuj”, tha ai.
Idlibi shton se lidhjet historike ofrojnë bazë më të fortë për marrëdhëniet dypalëshe. “Unë personalisht jam kurd sirian. Familja ime u vendos në jug të Halepit qindra vjet më parë për të mbrojtur kufijtë jugorë të Perandorisë Osmane. Kjo histori e përbashkët nuk mund të injorohet. Përkundrazi, ajo ofron bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Turqinë”, tha ai.