Trajneri i Bayer Leverkusen, Xabi Alonso, ka konfirmuar se do të largohet nga klubi në fund të sezonit, para ndeshjes së së shtunës kundër Borussia Dortmund.
Alonso, i cili iu bashkua Leverkusen në tetor 2022, do ta mbyllë aventurën e tij në BayArena pas ndeshjes së fundit të Bundesligës më 17 maj kundër Mainz.
“Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Bayer Leverkusen, lojtarëve dhe stafit tim, të gjithë njerëzve në klub dhe, më në fund, tifozëve fantastikë,” tha Alonso në një deklaratë. “Suksesi ynë ishte rezultat i një pune të jashtëzakonshme ekipore. Ky klub, që më dha një besim të jashtëzakonshëm, e meritoi plotësisht fitoren e Bundesligës për herë të parë. Faleminderit dhe gjithë mirënjohja ime për të gjithë ata që ndihmuan për ta bërë këtë triumf realitet, përfshirë edhe fitoren në Kupën e Gjermanisë. Leverkusen është gati për të ardhmen. Ky progres pozitiv do të vazhdojë, dhe unë do ta ndjek me interes.”
43-vjeçari pati një periudhë të shkëlqyer në krye të Leverkusen.
Kur mbërriti, skuadra ndodhej pranë zonës së rënies nga kategoria, por Alonso e çoi në vendin e gjashtë dhe në gjysmëfinalen e Europa League.
Kjo i dha shtysë sezonit 2023/24, më të mirit në historinë e klubit: fituan Bundesligën për herë të parë dhe mbetën të pamposhtur, si dhe fituan Kupën e Gjermanisë. Humbja në finalen e Europa League kundër Atalanta-s ishte disfata e vetme në 53 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Edhe pse ky sezon nuk arriti të njëjtat lartësi, Leverkusen e mbylli kampionatin në vendin e dytë pas Bayern Munich, që gjithashtu i eliminoi nga Champions League në fazën e 1/16-ave, ndërsa në kupë arritën deri në gjysmëfinale.
Alonso largohet me pikët më të larta për ndeshje (2.2) dhe përqindjen më të lartë të fitoreve (65 për qind) në historinë e trajnerëve të Leverkusen. Po ashtu, ai ka vendosur rekordin e Bundesligës për 33 ndeshje radhazi pa humbje jashtë fushe, që mund ta zgjasë edhe më tej në ndeshjen e tij të fundit.
Drejtori sportiv i Leverkusen, Simon Rolfes, tha: “Kjo epokë ka qenë një moment historik në zhvillimin e Bayer Leverkusen. Së bashku me Xabin, kemi ndërtuar një skuadër që ka mahnitur botën e futbollit me cilësinë dhe mentalitetin e saj. Jemi krenarë për progresin e madh të klubit dhe i urojmë Xabit gjithçka më të mirë në të ardhmen. Jam i sigurt që rrugët tona do të takohen sërish.”