Ministria e Jashtme e Zvicrës thotë se plani për ndërtime në zonën “E1” shkel ligjin ndërkombëtar dhe kërcënon zgjidhjen me dy shtete
Ministria e Jashtme e Zvicrës kundërshton vendimin e Izraelit për të aplikuar planet e ndërtimit të vendbanimeve në zonën “E1” afër Kudsit Lindor, duke paralajmëruar se ky veprim dëmton perspektivat për paqe, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X, ministria tha: “Zvicra e kundërshton me vendosmëri vendimin izraelit për të miratuar planet e ndërtimit të vendbanimeve në zonën ‘E1’ pranë Kudsit Lindor dhe u bën thirrje autoriteteve ta tërheqin këtë projekt”.
“Këto plane janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe dëmtojnë çdo perspektivë të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët, bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, shtoi ajo.
Ministria theksoi se “veprimet dhe deklaratat unilaterale që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin duhet të marrin fund”.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich miratoi ndërtimin e 3.401 njësive të banimit në Ma’ale Adumim, në lindje të Kudsit dhe 3.515 të tjerave në zonat përreth. Projekti synon të ndajë Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke prerë lidhjet midis qyteteve të tij veriore dhe jugore dhe duke izoluar Kudsin Lindor.