Zvicra do t’i ofrojë “imunitet” presidentit rus Vladimir Putin, pavarësisht aktakuzës kundër tij në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, me kusht që të marrë pjesë “në një konferencë paqeje”, tha ministri zviceran i Jashtëm, Ignazio Cassis.
Vitin e kaluar qeveria federale përcaktoi “rregulla për dhënien e imunitetit për një person nën fletarrest ndërkombëtar”. “Nëse ky person vjen në një konferencë paqeje dhe jo për arsye private,” tha Cassis në një konferencë për shtyp me homologun italian Antonio Tajani në Bernë.
Presidenti francez Emmanuel Macron përmendi mundësinë që një samit paqeje mes Vladimir Putinit dhe homologut të tij ukrainas Volodimir Zelenski të mbahej në Evropë, në një nga vendet neutrale – pra, edhe në Zvicër. Ai shtoi se do të dëshironte që kjo të ndodhte në Gjenevë, e cila është gjithashtu selia evropiane e OKB-së.
Presedani
Cassis shprehu gatishmëri të plotë për të organizuar një takim të tillë, duke theksuar përvojën zvicerane në këtë fushë. Megjithatë, ai shtoi se Rusia e mban peng Zvicrën.
Kjo për shkak se ky shtet evropian i neutralitetit tradicional vendosi t’i vendoste Moskës sanksione në përputhje me Bashkimin Evropian pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
“Kam rikujtuar vazhdimisht gatishmërinë time (për të organizuar takime) gjatë kontakteve me ministrin rus të Jashtëm, Sergej Lavrov, muajt e fundit (…) M’u tha se që nga koha kur Zvicra adoptoi sanksionet evropiane, natyrshëm kanë humbur një pjesë të vullnetit për ta bërë këtë në Zvicër,” pranoi kreu i diplomacisë zvicerane.
Cassis përmendi gjithashtu një presedan të fundit gjatë Asamblesë së Unionit Ndërparlamentar (IPU), një organizatë ndërkombëtare e parlamenteve kombëtare, ku në Gjenevë mbërriti kryetarja e Senatit rus, Valentina Matvienko. Kjo bashkëpunëtore e ngushtë e Vladimir Putinit është gjithashtu nën sanksione për mbështetjen e saj ndaj luftës.
Bisedimet e fundit bilaterale ruso-ukrainase u mbajtën në Stamboll të Turqisë, një vend që, megjithëse është anëtar i NATO-s, Moska e konsideron më miqësor.