ZRRE: Nuk mund të shtyhet vendimi për tregun e lirë energjetik

Të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro më 31 korrik që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

Kështu thanë për Telegrafin nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Nga ZRRE theksuan se nuk ka mundësi që të shtyhet vendimi pasi kjo është obligim ligjor dhe nuk mund të shtyhet në bazë të kërkesave të palëve.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur që shumë herë se  më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë. Vendimi nuk mund të shtyhet nga ZRRE pasi është obligim ligjor”, thanë për Telegrafin nga ZRRE-ja.

Ndërkaq, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend.

“Nëse ZRRE nuk merr SOT vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi