ZKA: Gati gjysmë milion euro u deklaruan në ATK si sponsorizim, por s’u transferuan te klubet sportive

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konkluduar se mbi 490 mijë euro nuk u transferuan në klubet sportive si sponsorizim, ani pse ato u deklaruan në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). ZKA-ja ka thënë se ka mungesë të dukshme të dëshmive që vërtetojnë se kontributet financiare sipas Ligjit për Sponsorizim e kanë përmirësuar cilësinë e sportit në Kosovë.

Në një konferencë për media të mërkurën, drejtoresha e ZKA-së, Vlora Spanca, ka prezantuar analizën e “Efektivitetit të fondeve për financimin e sportit”, me të cilën ka konfirmuar se ka mungesë të dukshme të mbikëqyrjes të funksionimit të Ligjit për Sponsorizime.

“Konkluzioni i auditimit është se aktivitetet e subvencionuara dhe sponsorizuara nga kompanitë private për sportin nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen siç duhet. MKRS nuk ka arritur të miratojë strategjinë për zhvillimin e sportit, Praktikat me të cilat vepron MKRS për subvencionimin dhe lejimin e sponsorizimeve të kompanive private për organizatat sportive nuk ofrojnë qëllime të qarta për shfrytëzimin e fondeve. Ka munguar mbikëqyrja dhe monitorimi i proceseve të sponzorizimit të sportit nga ana e MKRS-së dhe Administratës Tatimore të Kosovës, përkundër kërkesave ligjore që rregullon Ligji për sponsorizim. Për më tepër, ekziston një mungesë e dukshme e dëshmive që vërtetojnë se kontributet financiare në mënyrë efektive kanë përmirësuar cilësinë e sportit në Kosovë. Nuk ka dëshmi që sigurojnë se fondet janë shpenzuar, pra nuk ka një sistem që verifikon se aktivitetet janë realizuar në terren ashtu siç ishin planifikuar”, ka thënë ajo, sipas njoftimit të ZKA-së.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), sipas ZKA-së, gjatë periudhës 2020-2022 nuk ka zhvilluar asnjë monitorim.

“Kjo mungesë e monitorimit ka lënë hapësira për dyshime në lidhje me përdorimin e efektshëm të burimeve publike dhe realizimin e synimeve të interesit publik. Fondet e sponsorizimit nuk kanë arritur qëllimet për ngritje të cilësisë së sportit në vend. Kemi gjetur se një pjesë e këtyre fondeve përdoren shpesh për qëllime të marketingut të kompanive të sponsorizuara, duke rrezikuar që fondet mos të përdoren për interesin publik”, ka shtuar Spanca.

Sipas Spancës, klubet sportive kanë përfituar sponsorizim mbi 1 milion euro nga kompanitë private, por s’kanë pasur vërtetim për sponsorizim nga MKRS-ja.

“Sponsorizimi dhe lirimi i 30% të tatimit në fitim për kompanitë private ka rezultuar me shmangie tatimore. Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare tek klubet sportive si sponosorizim nga kompanitë private edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Për më tepër këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit. Përveç kësaj, klubet sportive kanë përfituar sponsorizim mbi 1 (një) milion euro nga kompanitë private e për të cilat nuk kanë pasur vërtetim për sponsorizim nga ana e MKRS-së. Mungesa e koordinimit ndërmjet MKRS-së dhe Administratës Tatimore ka bërë që mos të ketë kontroll të duhur për shumat e sakta që duhet tatuar dhe liruar nga tatimi”, ka deklaruar ajo.

Auditimi ka gjetur edhe shumë parregullsi në subvencionet e MKRS-ë për organizatat sportive.

“Në anën tjetër, Organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022, nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë euro të financuara nga MKRS. Përveç financimeve me memorandume dhe me thirrje, MKRS financon organizatat sportive edhe pa thirrje publike, vetëm me kërkesa drejtuar Ministrisë, formë të cilën nuk e ka të paraparë në ligje dhe rregullore. Për më shumë, një nga Organizatat Joqeveritare përfituese e projektit “databaza sportive në Kosovë” nuk ka dorëzuar produktin/raportin final me kohë për të cilin Ministria kishte paguar 121,430 euro. Për më shumë, edhe pas dorëzimit të produktit, Ministria nuk e ka shqyrtuar dhe as pranuar të njëjtin përmes komisionit për të vlerësuar apo maksimizuar përfitimin nga ky projekt. Për pasojë, vlera për paranë e shpenzuar nuk është materializuar”, ka thënë Spanca.

Për trajtimin e këtyre çështje, ZKA-ja ka dhënë gjashtë rekomandime për MKRS-në, dy rekomandime për ATK-në dhe dy të përbashkëta për të dy institucionet.

Ligj për Sponsorizime vlerësohet shumë i favorshëm. Rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorimeve dhe reklamave. Sponsoruesve për sponsorime në aktivitetet e sportit u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi