Disa muaj më parë, Gao Shanwen, ekonomisti kinez që i kishte quajtur të dhënat ekonomike të vendit të tij të rreme, u zhduk nga Pekini.
Jo, rritja aktuale nuk ishte 5% siç e kishte deklaruar qeveria, por sipas Gao-s ishte më pak se 2%. Dhe jo, papunësia e të rinjve nuk ishte në nivelin e 17%, por rreth 40%.
Që nga ai moment, Gao u zhduk dhe edhe sot nuk ka asnjë shenjë prej tij. Ka kaluar pak kohë, por nuk e imagjinoja që personi tjetër kinez, zhdukjen e të cilit do të raportoja, do të mbante emrin Xi Jinping.
Po, ai ishte: Sekretari i Partisë Komuniste, Presidenti i Republikës Popullore dhe Kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak, që tani shërben një mandat të tretë të paprecedentë që nga Mao Ce Duni.
Ai u zhduk në moshën 72 vjeç. Pastaj, sigurisht, u rishfaq. Por është e pazakontë që Xi të zhduket për dy javë, dy herë radhazi, midis majit dhe korrikut.
Është gjithashtu hera e parë që nga viti 2012 që Xi ka munguar në samitin vjetor të BRIC: ai nuk ishte në Brazil një javë më parë.
Edhe më pak normal është fakti që për tre ditë rresht – midis 2 dhe 5 qershorit – People’s Daily dhe agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua shmangën përmendjen e udhëheqësit të vendit.
Çfarë po ndodh rreth udhëheqësit më të fuqishëm të ekonomisë më të madhe në botë?
Askush nga jashtë nuk mund ta dijë. Nuk ka aspak gjasa që Xi Jinping të bjerë ashtu siç ra Mikhail Gorbachev në gusht të vitit 1991. Por diçka po ndodh. Le të analizojmë.
Zhdukjet e papritura të figurave të larta në Pekin janë “të zakonta”. Një nga rastet më të fundit të dukshme ishte ai i Qin Gang, Ministër i Jashtëm deri më pak se dy vjet më parë ishte ambasadori kinez në Uashington.
“Krimi i tij” duket se ka qenë një marrëdhënie me një grua kineze që nuk ishte miratuar plotësisht nga partia, ndërsa ai jetonte në Shtetet e Bashkuara.
Thashethemet e fundit sugjerojnë se ai është rishfaqur së fundmi si zyrtar në bibliotekën qendrore të partisë në Pekin.
Por ajo që po i ndodh Xi Jinping dhe udhëheqjes ushtarake, ku ai është teorikisht udhëheqësi absolut, i përket një kategorie tjetër. Sepse në muajt e fundit, dhe me intensitet në rritje midis fundit të pranverës dhe verës, kanë ndodhur shumë ngjarje të pazakonta.
Brenda ushtrisë, disa figura të larta historikisht të konsideruara shumë të afërta me Xi Jinping i janë nënshtruar një sërë spastrimesh.
Vetë udhëheqësi u zhduk publikisht, së pari midis 21 majit dhe 5 qershorit dhe më pas midis 24 qershorit dhe 7 korrikut.
Në samitin e BRICS në Brazil, ai dërgoi Kryeministrin Li Qiang. Së fundmi, media zyrtare e partisë nuk e përmendi fare udhëheqësin e tyre.
Këto të dhëna nuk janë të mjaftueshme për të dekretuar fundin ose rënien e pushtetit të Xi-së, i cili tani është në gjysmën e mandatit të tij të tretë dhe teorikisht i kualifikuar për rizgjedhje.
Por ato janë të mjaftueshme për të sugjeruar se vështirësitë ekonomike dhe rezultatet kontradiktore të negociatave të tarifave me Shtetet e Bashkuara të Donald Trump-it po shkaktojnë – ndoshta për herë të parë – një dobësim të Xi-së.
Spastrimet në nivelet më të larta të pushtetit në Kinë janë duke vazhduar dhe Xi Jinping ka qenë i pari që i ka përdorur ato për të ushtruar pushtetin e tij.
Edhe këtë herë, vendimi për të shkarkuar dhe ndëshkuar disa gjeneralë mund të jetë i tiji, megjithatë tani ai ka të bëjë me besnikët që vetë Xi i kishte vendosur në ato pozicione.
Një analist kinez për Korporatën Australiane të Transmetimeve (ekuivalenti i BBC-së në Australi) vuri në dukje së fundmi se Gjenerali He Weidong, gjenerali i dytë më i lartë në ushtri dhe bashkë-nënkryetar i Komisionit të fuqishëm Qendror Ushtarak, nuk është shfaqur në publik që nga 11 marsi.
Kolegu i tij, Xu Qiliang, vdiq zyrtarisht më 2 qershor në moshën relativisht të re, 75 vjeç, në rrethana që nuk janë shpjeguar kurrë.
Spastrimet në ushtri kishin përfshirë Shefin e Shtabit të Marinës, Li Hanjun, ish-gjeneralin e lartë Liu Shipeng dhe një gjeneral tjetër dhe anëtar të Komisionit Qendror Ushtarak të quajtur Miao Hua. Gjenerali Lin Xiangyang, kreu i Komandës së Kuadrantit Lindor, gjithashtu u shkarkua nga posti.
Akuzat janë pothuajse gjithmonë të njëjta: “Shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit”, pra korrupsion.
Ky është një nga mjetet me të cilat Xi Jinping ka konsoliduar pushtetin e tij gjatë viteve, dhe është e mundur që ai vetë urdhëroi spastrimet e të vetëve, pasi është bërë paranojak, si të gjithë perandorët, nga frika e tradhtisë.
Por një tjetër mundësi është që ata gjeneralë, të cilët gjithmonë kishin qenë pranë udhëheqësit, u rrëzuan nga njeriu aktualisht është njeriu më i fuqishëm në Kinë: Zhang Youxia.
Për Xi-në, ai është një shok i përjetshëm; gjenerali me gradën më të lartë në parti, i cili kontribuoi në mënyrë vendimtare në rizgjedhjen e tij të tretë në vitin 2022.
Por Zhang Youxia është gjithashtu armiku më i ngushtë i Xi-së. Këtë vit, gjatë një dalje publike, Zhang Youxia i ktheu shpinën dhe as nuk u shqetësia që ta përshëndeste Xi Jinping.
Zhang Youxia është komandanti më i lartë ushtarak i partisë dhe nënkryetari (i dyti pas Xi) i Komisionit Qendror Ushtarak.
Babai i Xi dhe babai i Zhang luftuan së bashku në revolucion përkrah Maos; prandaj është shumë e mundshme që të dy – të cilët janë pothuajse në të njëjtën moshë – ta kenë njohur njëri-tjetrin që nga fëmijëria.
Por tani Zhang kontrollon levat e pushtetit, zyrën që garanton sigurinë personale të Xi Jinping, duke e bërë deri diku udhëheqësin e partisë të kthehet në një peng.
Spastrimet në ushtri mund të jenë iniciuar nga Xi kundër Zhang ose nga Zhang kundër Xi. A do të thotë kjo se Xi Jinping do ta humbasë zyrtarisht pushtetin? Ndoshta jo; ai është ende një kafshë politike me 9 jetë. Por është një situatë që mbetet të mbahet nën vëzhgim./Corriere della Sera