Zelenskyy: Në sulmet ruse humbi jetën një person dhe shumë të tjerë u plagosën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se një person u vra dhe 12 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të kryera nga ushtria ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se një person u vra dhe 12 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të kryera nga ushtria ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës, transmeton Anadolu.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Telegram lidhur me sulmet e kryera natën kundër vendit të tij, Zelenskyy tha se rusët kanë kryer sulme me raketa balistike dhe mjete ajrore pa pilot (dronë-UAV).

Ai theksoi se ushtria ruse kreu sulme ndaj gjithsej 50 objekteve në total. “Shumë dronë u rrëzuan nga forcat tona mbrojtëse, por për fat të keq ka patur disa goditje”, tha Zelenskyy.

“Rusët shënjestruan me 25 dronë stacionin hekurudhor dhe infrastrukturën në qytetin Lozova që ndodhet në rajonin e Kharkivit. Një person u vra si pasojë e sulmeve. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të tij. Ndërsa 10 persona, përfshirë dy fëmijë, u plagosën”, shtoi ai.

Në mesazhin e tij, Zelenskyy tha se ushtria ruse nisi gjithashtu sulme në Zaporizhzhia si dhe në rajonet Sumy dhe Odessa. Sipas tij, dy persona u plagosën në Zaporizhzhia.

Duke mbrojtur idenë se qëllimi i Rusisë është të frikësojë popullin ukrainas, Zelenskyy tha se “Ushtria ruse po sulmon përsëri njerëz për të frikësuar qytetet dhe komunitetet në vijën e frontit”.

“Sanksionet kundër Rusisë duhet të rriten për të detyruar paqen”, tha presidenti ukrainas i cili shprehu pritjet e tij që aleatët të ndërmarrin veprime vendimtare për këtë çështje.

Kategoritë
BotaLajme