Zelenskyy mbërrin në Washington përpara bisedimeve për Ukrainën

“Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri”, tha Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, mbërriti të dielën në Washington, ku do të marrë pjesë në bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, si dhe me një grup liderësh evropianë, raporton Anadolu.

“Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri”, shkroi Zelenskyy në një postim në llogarinë e tij në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Ai tha se paqja duhet të jetë e qëndrueshme, “jo siç ishte vite më parë, kur Ukraina u detyrua të hiqte dorë nga Krimea dhe një pjesë e Lindjes sonë – një pjesë e Donbasit – dhe (Presidenti rus Vladimir) Putin thjesht e përdori atë si një trampolinë për një sulm të ri”.

Ai kritikoi gjithashtu “garancitë e sigurisë” të ofruara Ukrainës në vitin 1994, duke thënë se ato dështuan. Krimea, tha ai, nuk duhej të ishte dorëzuar kurrë, “ashtu si ukrainasit nuk hoqën dorë nga Kievi, Odesa apo Kharkivi pas vitit 2022”.

“Ukrainasit po luftojnë për tokën e tyre, për pavarësinë e tyre. Tani, ushtarët tanë kanë suksese në rajonet e Donetskut dhe Sumit”, tha ai, duke shprehur besimin se ata do ta mbrojnë Ukrainën dhe do të garantojnë në mënyrë efektive sigurinë, duke shtuar se “populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Presidentit Trump, të gjithëve në Amerikë dhe çdo partneri dhe aleati për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar”.

“Rusia duhet t’i japë fund kësaj lufte, të cilën e nisi vetë. Dhe shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën, me miqtë tanë evropianë, do ta detyrojë Rusinë të arrijë një paqe të vërtetë”, shtoi Zelenskyy.

Trump dhe Putin zhvilluan një takim tre-orësh me dyer të mbyllura të premten në Anchorage të Alaskës, ku Putin tha se ata arritën një “mirëkuptim”.

Pas samitit, Trump i tha Fox News se u ra dakord për pika të rëndësishme, dhe se kishin mbetur vetëm disa çështje të vogla.

Kategoritë
BotaLajme