Presidenti Volodimir Zelenski tha herët të shtunën se “ukrainasit nuk do t’ua japin tokën e tyre pushtuesve”, pasi Donald Trump njoftoi se javën e ardhshme do të takohet me Vladimir Putinin dhe se përfundimi i luftës duhet të përfshijë “njëfarë shkëmbimi territori”.
Zelenski deklaroi se Kievi është gati për zgjidhje reale që mund të sjellin paqe, por shtoi se çdo zgjidhje pa Ukrainën do të ishte kundër paqes.
“Ukrainasit po mbrojnë të tyren. Edhe ata që janë me Rusinë e dinë se ajo po bën të keqen. Natyrisht, ne nuk do t’i japim Rusisë shpërblime për atë që ka bërë. Populli ukrainas meriton paqe. Por të gjithë partnerët duhet të kuptojnë se ç’është paqja me dinjitet,” tha ai.
Sipas Zelenskit, kjo luftë duhet të përfundojë dhe Rusia duhet ta përfundojë. “Rusia e nisi dhe po e zvarrit, pa dëgjuar asnjë afat—ky është problemi, jo gjë tjetër.”
“Përgjigjja për çështjen territoriale të Ukrainës tashmë gjendet në Kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do dhe nuk mund të heqë dorë nga kjo. Ukrainasit nuk do t’ua japin tokën e tyre pushtuesit,” tha ai.
Trump tha se planifikon të takohet me presidentin rus të premten e ardhshme në Alaska, duke e bërë të ditur vendndodhjen në një postim të shkurtër në Truth Social. Agjencia shtetërore ruse Tass konfirmoi datën dhe vendin e takimit, duke cituar ndihmësin e Kremlinit Jurij Ushakov.
Më herët atë ditë, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se takimi “do të ishte më herët, por mesa duket ka marrëveshje sigurie që njerëzit, fatkeqësisht, duhet t’i bëjnë.”
Presidenti amerikan tha gjithashtu se do të ketë një farë shkëmbimi territori në dobi si të Ukrainës, ashtu edhe të Rusisë, dhe se kjo çështje do të diskutohet së shpejti, por pa dhënë detaje të tjera.
Bloomberg raportoi të premten se një marrëveshje mund të vuloste disa nga përfitimet territoriale të Putinit në Ukrainë, duke “ngrirë” vijat e frontit në rajonet Herson dhe Zaporizhia. Putini ka shpallur pretendime të plota mbi katër rajone ukrainase, ndonëse pjesa më e madhe e territorit të tyre mbetet nën kontrollin e Ukrainës. Zyrtarë amerikanë dhe rusë kanë punuar për një marrëveshje sipas së cilës Rusia do të ndalonte ofensivën në këmbim të ustupimeve territoriale—një propozim politikisht shumë i ndjeshëm në Ukrainë, shkruan Bloomberg.
Komentet e Trumpit erdhën pasi kryeministri polak tha se “ngrirja” e konfliktit mund të jetë afër, pas bisedimeve me Zelenskin, i cili ditët e fundit ka komunikuar me Trumpin dhe liderë evropianë.