Pas vendimit të Australisë për të njohur Palestinën, nga Zelanda e Re kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë të bëjnë të njëjtën gjë, deklaroi të hënën ministri i jashtëm Winston Peters.
Peters sqaroi se kabineti i kryeministrit Christopher Luxon do të marrë një vendim formal në shtator dhe do ta paraqesë qasjen e qeverisë gjatë Javës së Liderëve në OKB.
Ai tha se, ndonëse disa nga partnerët e afërt të Zelandës së Re janë përcaktuar të njohin shtetin palestinez, Zelanda e Re ka një politikë të jashtme të pavarur.
“Synojmë ta shqyrtojmë me kujdes çështjen dhe pastaj të veprojmë në përputhje me parimet, vlerat dhe interesin kombëtar të Zelandës së Re,” tha Peters.
Qeveria duhet të vlerësojë nëse po arrihet përparim i mjaftueshëm që territoret palestineze të bëhen një shtet i qëndrueshëm dhe legjitim, në mënyrë që Zelanda e Re ta njohë.
“Do të veprojmë duke pasur parasysh se situata në terren po përkeqësohet shpejt,” theksoi ai.
Disa vende, përfshirë Australinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, javët e fundit kanë njoftuar se do ta njohin shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, bëri të ditur sot se vendi i tij do ta njohë Palestinën si shtet të pavarur në seancën e shtatorit të Kombeve të Bashkuara.
“Do të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për ta realizuar këtë të drejtë. Australia po e jep këtë deklaratë sot pas mbledhjes së kabinetit, si pjesë e përpjekjeve të koordinuara globale për të ndërtuar vrullin drejt zgjidhjes me dy shtete,” përfundoi ai.