Zelanda e Re: Ajo që po ndodh në Gaza është e tmerrshme dhe e papranueshme

Deklarata e kryeministrit të Zelandës së Re, Christopher Luxon vjen mes vdekjes, urisë dhe shkatërrimit në enklavën e rrethuar palestineze

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon tha se ajo që po ndodh në Gaza është “krejtësisht e tmerrshme dhe e papranueshme”, transmeton Anadolu.

Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin Wellington, Luxon kritikoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se ai “e ka tepruar”.

“Mendoj se Netanyahu ka shkuar shumë larg. Ajo që po shohim brenda natës, sulmi ndaj qytetit të Gazës, është krejtësisht e tmerrshme dhe e papranueshme”, tha ai.

Luxon foli para mediave pas një dite të tensionuar në parlament, ku ligjvënësit debatuan planin e Zelandës së Re për të njohur shtetin palestinez.

Ai shtoi se Zelanda e Re është një vend i vogël, me tregti shumë të kufizuar me Izraelin, por se ata mbrojnë vlerat e tyre. “Ajo që keni parë është se Izraeli nuk e dëgjon fare komunitetin global. Ne kemi kërkuar që ndihma humanitare të ofrohet pa pengesa. Kjo nuk ka ndodhur”, tha ai.

Luxon theksoi se plani i kryeministrit izraelit për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës do të ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar. Ai tha se sulmet e fundit mund të “devijojnë rrugën” drejt një zgjidhjeje me dy shtete.

“Po ju them se cili është mendimi im personal, si qenie njerëzore, duke parë situatën, kështu ndihem”, tha ai.

Pasi aleatët e saj Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë vendosur të njohin shtetin e pavarur të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së muajin e ardhshëm, Zelanda e Re tha se po shqyrton një veprim të ngjashëm.

Kategoritë
BotaLajme