Zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite njoftoi: Është kaluar në fazën e parë të operacionit në Gaza

Zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite bëri të ditur se perimetri i Gazës është vënë nën kontroll dhe pas përleshjeve me Hamasin është kaluar në fazën e parë të operacionit në Gaza. Një hap i Izraelit që ka shkaktuar reagime…

Që nga 7 tetori 2023 Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, duke injoruar thirrjet e botës për armëpushim.

Pas planit të “pushtimit të qytetit të Gazës”, sipas gazetës The Times of Israel, mbrëmë pas një takimi të Shefit të Shtabit Zamir dhe oficerëve të ushtrisë mbi pushtimin e qytetit, mësohet se ministri Katz ka miratuar këtë mëngjes planin e pushtimit nga ushtria.

“ËSHTË KALUAR NË FAZËN E PARË TË OPERACIONIT”

Nga ushtria izraelite erdhi njoftimi i fundit…

Zëdhënësi Effie Defrin deklaroi se perimetri i Gazës është nën kontroll.

Ai shtoi: “Pas përleshjeve me Hamasin, është kaluar në fazën e parë të operacionit në Gaza.”

1 MILION PALESTINEZË DO TË DËBOHEN NË JUG TË RAJONIT

Në kuadër të planit të pushtimit të qytetit, ministri i Mbrojtjes Katz gjithashtu ka miratuar përgatitjet për dëbimin e rreth 1 milion palestinezëve drejt jugut.

Është njoftuar se sulmeve të pushtimit të qytetit të Gazës u është dhënë emri “Qerret e Luftës së Gideonit II”.

Izraeli, pas thyerjes së armëpushimit më 18 mars, më 17 maj kishte nisur sulmet e quajtura “Qerret e Luftës së Gideonit” për të zgjeruar dhe bërë të përhershëm pushtimin në Rripin e Gazës.

60 MIJË REZERVISTË THIRREN NË DETYRË

Sipas televizionit shtetëror izraelit KAN, ushtria izraelite, duke u përgatitur për pushtimin e qytetit të Gazës, ka vendosur të thërrasë në detyrë edhe 60 mijë rezervistë.

VENDIMI PËR PUSHTIM NGA IZRAELI

Kabineti i Sigurisë së Izraelit më 8 gusht kishte miratuar planin për pushtimin e qytetit të Gazës në veri të rajonit.

Kryeministri Binyamin Netanyahu, para mbledhjes së kabinetit, në një intervistë kishte deklaruar se synojnë pushtimin e të gjithë Rripit të Gazës.

Edhe në lajmet e publikuara në mediat izraelite thuhej se ushtria kishte marrë urdhër për pushtimin e pjesës tjetër të Gazës, por ky hap nuk pritej të zbatohej para shtatorit.

Sipas planit, në fazën e parë rreth një milion palestinezë do të zhvendosen drejt jugut, qyteti do të rrethohet dhe pas sulmeve intensive do të pushtohet.

FAZA E DYTË E PLANIT PËR PUSHTIMIN E GAZËS

Në fazën e dytë parashikohet pushtimi i kampeve të refugjatëve në qendër të Gazës, e cila është kthyer kryesisht në rrënoja.

Izraeli kishte mbajtur nën pushtim Rripin e Gazës për 38 vjet nga viti 1967 deri më 2005. Sot, rreth 2,4 milion palestinezë jetojnë në Rripin e Gazës, i cili prej 18 vitesh është nën një bllokadë të rëndë.

 

Kategoritë
BotaLajme