“Rusia-Ukraina, Irani, Izraeli-Hamasi. Do të zhvillojmë takime gjatë gjithë kësaj jave mbi të tre këto konflikte dhe shpresojmë t’i zgjidhim ato para fundit të këtij viti”, tha Witkoff
Këtë javë do të mbahen takime mbi luftën Rusi-Ukrainë, Iranin dhe sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, tha të martën Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, transmeton Anadolu.
“Rusia-Ukraina, Irani, Izraeli-Hamasi. Do të zhvillojmë takime gjatë gjithë kësaj jave mbi të tre këto konflikte dhe shpresojmë t’i zgjidhim ato para fundit të këtij viti”, tha Witkoff në një mbledhje të kabinetit të kryesuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Witkoff tha se negociatat janë duke vazhduar për “hyrje të shumëfishta” në Marrëveshjet e Abrahamit, marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja të nënshkruara gjatë mandatit të parë të Trumpit në vitin 2020 për të normalizuar lidhjet midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut. Ai vuri në dukje rolin e SHBA-së në bisedimet që përfshijnë fqinjët e Kaukazit, Azerbajxhanin dhe Armeninë.
“Aty janë gjithë këta njerëz që nuk e kanë parë kurrë botën të ndryshojë në këtë mënyrë, paqja përmes forcës funksionon vërtet, vërtet”, tha ai.
Trump më parë ka thënë se disa vende kanë shprehur interes për t’u bashkuar me Marrëveshjet e Abrahamit, duke pretenduar se kjo do të siguronte “paqen në Lindjen e Mesme”.