Gazeta amerikane Washington Post ka publikuar emrat e fëmijëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas më 7 tetor 2023.
Kjo listë, të cilën mund ta gjeni këtu, shoqërohet me disa histori individuale dhe me fotografi që familjet e fëmijëve të vrarë i kanë dorëzuar Washington Post-it.
Gjatë shfletimit të listës, çdo 500 emra shfaqet një mesazh me numrin e emrave që janë lexuar deri tani.
Në tekst thuhet gjithashtu se fëmijët përbëjnë plot 31% të viktimave të agresionit izraelit në Gaza, dhe se 900 prej tyre u vranë para ditëlindjes së parë.
Washington Post shkruan se një numër i madh fëmijësh u vra në sulmet ajrore izraelite, veçanërisht ndërsa prisnin për ushqim, ujë dhe ndihma humanitare.
Përmendet gjithashtu sa fëmijë kanë vdekur nga uria, dhe fajësohet qartë Izraeli për shkak të bllokadës së ndihmave humanitare drejt kësaj enklave palestineze.
Gazeta ka cituar disa zyrtarë të lartë botërorë, të cilët kanë dënuar ashpër vrasjet e fëmijëve në Gaza nga ana e Izraelit.
Ndër ta, është cituar António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara:
“Kam thënë vazhdimisht se sulmi i 7 tetorit 2023 ishte i tmerrshëm, por ai nuk mund të justifikojë shpërthimin e vdekjeve dhe shkatërrimit që ka ndodhur më pas. Shtrirja dhe intensiteti i tij tejkalojnë çdo gjë që kemi parë kohët e fundit.”
Gjithashtu është cituar Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), i cili e ka quajtur Gazën “vendin më të rrezikshëm për fëmijë në botë.”
Thuhet se lista është përpiluar sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, por për shkak të kushteve të vështira ajo mund të jetë “e nënvlerësuar” dhe gjendja reale mund të jetë edhe më e rëndë.