Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nuk i shkon aspak mendja të ndryshojë Kushtetutën për t’u kandiduar sërish për president, duke theksuar se mandati i tij në këtë funksion do të përfundojë pas një viti e gjysmë.
“Jam një veteran politik dhe nuk mund të kandidoj më për president, e nuk më shkon mendja të ndryshoj Kushtetutën që të mund të kandidoj. Nuk jam diktator, siç më paraqesin më së shpeshti në mediat austriake, karrierën time presidenciale do ta përfundoj pas një viti e gjysmë”, tha Vuçiq në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin austriak, Kristijan Shtoker, në Beograd.
Vuçiq njoftoi se zgjedhjet në Serbi do të shpallen para afatit të parashikuar me ligj, por nuk specifikoi datën e saktë, duke theksuar se kjo është kompetencë e institucioneve shtetërore.
“Se a do të ndihmoj dikë dhe të luftoj që ata për të cilët mendoj se mund ta çojnë Serbinë në të ardhmen të kenë sukses në zgjedhje – këtë do ta bëj patjetër. Nga cila pozitë, kjo nuk është temë tani dhe as nuk do të mund ta them”, tha ai.
Ai theksoi se zgjedhjet “do të tregojnë çfarë mendon populli”, duke shtuar se protestat dhe demonstratat janë forma legjitime të shprehjes së pakënaqësisë për sa kohë nuk janë të dhunshme.
“Në nëntë muajt e fundit nuk kemi pasur asnjë tubim të vetëm ligjor, asnjë që të mos ishte i kundërligjshëm dhe i pa raportuar”, tha Vuçiq, duke kritikuar mediat austriake që, sipas tij, “në to për protestat në Serbi nuk është mundur të dëgjohet një mendim ndryshe”.
Duke folur për protestat aktuale, presidenti i Serbisë tha se vendi po përballet me tubime shumë të dhunshme, përfshirë edhe ato të së martës mbrëma, dhe akuzoi protestuesit se shkojnë para shtëpive të kundërshtarëve politikë, duke e krahasuar këtë me praktika nga e kaluara në Austri dhe Gjermani.
“Sërbia i ka përballuar të gjitha këto në një mënyrë shumë demokratike, pa përdorim serioz të forcës”, përfundoi Vuçiq.