Më shumë se 20 anëtarë të Parlamentit britanik i kanë kërkuar Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të rishqyrtojë marrëdhëniet e saj me Serbinë, pasi presidenti Aleksandar Vuçiq mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj.
Deputetja Emma Lewell njoftoi në rrjetin social X se i ka dërguar një letër zyrtare ministrit të Punëve të Jashtme, në të cilën bën thirrje për një “ndryshim të rëndësishëm” të politikës së jashtme britanike ndaj Serbisë. Letra, sipas saj, është nënshkruar nga edhe 25 deputetë të tjerë.
Në këtë dokument thuhet se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiqit, ka intensifikuar lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin dhe se është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht, siç thuhet, “krimeve të tmerrshme kundër Ukrainës që nga viti 2014”.
Deputetët paralajmërojnë edhe për rolin destabilizues të Serbisë në rajon, duke pretenduar se Vuçiq, në bashkëpunim me Kremlinin, vepron kundër stabilitetit të Kosovës, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe rajonit më të gjerë të Ballkanit, në një kohë kur Rusia po përpiqet të largojë vëmendjen nga agresioni i saj ndaj Ukrainës.
Ata gjithashtu kanë shprehur shqetësim për, siç thonë, regresin serioz të demokracisë në Serbi, duke theksuar presionin mbi mediat, opozitën dhe shoqërinë civile, si dhe korrupsionin e përhapur, gjë që, sipas tyre, ka shkaktuar protesta masive të qytetarëve kundër qeverisë.
“Qeveritë britanike me radhë kanë mbështetur integrimin evropian të Serbisë me shpresën se kjo do të sillte liri, zhvillim ekonomik dhe largim nga ndikimi i Rusisë. Megjithatë, ngjarjet e 9 majit tregojnë qartë se pushteti i Vuçiqit nuk ka asnjë synim të shkëputet nga Kremlini, përkundrazi përkrah idetë e ‘Serbisë së Madhe’, të cilat rrezikojnë me konflikte të reja në Ballkan”, thuhet në letër.
Për shkak të të gjitha arsyeve të lartpërmendura, deputetët britanikë i bëjnë thirrje qeverisë së tyre që të ndryshojë menjëherë drejtimin – përfshirë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj Vuçiqit, bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë dhe anëtarëve të qeverisë, si dhe përdorimin e të gjitha mjeteve diplomatike për të inkurajuar aleatët që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
“Nëse nuk dërgojmë tani një mesazh të fuqishëm për autoritetet në Serbi, rrezikojmë forcimin e mëtejshëm të një regjimi autoritar dhe destabilizimin e një situate të brishtë të sigurisë në rajon”, paralajmërojnë nënshkruesit e letrës.
Deputetët gjithashtu kanë shprehur mbështetjen e tyre për qytetarët dhe studentët në Serbi që po protestojnë, duke deklaruar se ata po luftojnë për një vend të lirë nga korrupsioni dhe sundimi autoritar.
Gjatë takimit me Vuçiqin më 9 maj, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia “e vlerëson kursin e pavarur dhe sovran të Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Ky ishte takimi i tyre i parë zyrtar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më shumë se tre vjet më parë.