Tërësisht i dehur në gjuhë dhe tone, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dje i ktheu oktavat luftënxitëse në një fjalim të mbajtur në tridhjetë vjetorin e operaconit ushtarak kroat “Stuhia” që komemorohet si Çlirimi i Kroacisë më 1995.
Çka u nis si një “replikë” e zakonshme ndaj paradës ushtarake kroate që u zhvillua si festë kombëtare nga Zagrebi zyrtar, Beogradi e ktheu në, siç rëndom bën, vajtim kombëtar të një “spastrimi etnik” që pretendojnë ta kenë kryer kroatët.
Vuçiq mblodhi partinë e vet dhe me vete Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirijen dhe ultranacionalistin serb të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodikun, të dënuar tash me urdhër të prerë nga gjykatat në Sarajevë me një vit burgim dhe gjashtë vite privim nga e drejta për të mbajtur zyrë politike.
Perëndimin – Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Vuçiq i quajti “kopilë” në një shkarkim të madh nacionalist me të cilën po vijonte monologun luftënxitës.
“Do t’ju bombardojmë, së pari, pa leje nga OKB, neve s’na bëhet vonë për Kartën (e OKB-së), rendit ndërkombëtar, pse? Sepse mundemi. Njëkohësisht, do të ndërmarrin propagandën më të zjarrtë që këta (serbët) duhet t’i rrënojmë. Pastaj na thanë ‘ndërrone qeverinë në Serbi, Kosova është e juaja’. Kur serbët i besuan mashtrimeve të juaja, ju pastaj thatë as Mali i Zi s’mund të qëndrojë me ju. Shihni nga e ardhmja, ju më në fund do të jeni të pavarur, dhe për dy vite s’ka gjë, po ua marrim 14% të territorit tuaj dhe grabisim Kosovën nga ju”, tha ai.
“Ne jemi të vegjlit që gabojmë, por sepse s’do të jemi shërbëtorë dhe të nënshtruar. Serbët e duan lirinë dhe nuk pyesin për çmom. Këtë mësojeni njëherë e mirë. Ata thonë ‘sundimi i ligjit’ dhe sundimi i ligjit është për t’ju bërë të qeshni. Dhe, jua harruat – para dy vite e gjysmë patëm zgjedhje në veri të Kosovs, ata i njohën rezultatet me 2% të daljes, dhe kjo ishte demokraci? Turp ju qoftë, kopilë. Më morrët në Molldovë, më thatë jo, nuk do t’i pranojmë, veç ke durim. Nuk pati zgjedhje, okupatorët i drejtuan komunat”, tha ai.
Kërcënim të brendandërtuar pati edhe për serbët e Kosovës të cilët janë të integruar dhe marrin pjesë në jetën institucionale të Republikës së Kosovës – i shpalli tradhtarë të kombit serb.
“Për katër vjet, pushtuesit i menaxhuan ato komuna (në veri të Kosovës). Ata gjetën disa shërbëtorë serbë, ashtu siç i gjetën nazistët në vitin ’41, siç i kishin austriakët në Luftën e Parë Botërore, siç i kishin bullgarët në Luftën Ballkanike… Gjithmonë ka të tillë midis serbëve, por është një numër i vogël. Ka më shumë njerëz që nuk do të jenë shërbëtorë të tyre”, tha Aleksandar Vuçiqi.