Vuçiç i shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave të Srebrenicës.

Në përvjetorin e 30-të të krimit të tmerrshëm në Srebrenicë, të kryer nga forcat serbe në Bosnjë e Hercegovinë në korrik 1995, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përsëri i shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave.

Vuçiç e publikoi deklaratën në profilin e tij në X, ku zakonisht shkruan në serbisht, veç kur i drejtohet audiencës ndërkombëtare – atëherë shpesh përdor edhe anglishten.

Këtë herë zgjodhi të flasë krejtësisht në anglisht:

“Sot shënohen tridhjetë vjet nga krimi i tmerrshëm në Srebrenicë. Nuk mund ta ndryshojmë të shkuarën, por duhet të ndryshojmë të ardhmen. Një herë sërish, në emër të qytetarëve të Serbisë, shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave boshnjake, me bindjen se një krim i tillë nuk do të përsëritet më.”

Megjithatë, kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabić, i tha N1 Beograd se ajo ngjarje e vitit 1995 në Srebrenicë “absolutisht nuk ishte gjenocid ndaj boshnjakëve”, edhe pse shtoi se kjo nuk do të thotë se nuk ishte një krim i tmerrshëm lufte.

Në një intervistë për televizionin Informer, Brnabić tha se krimi i korrikut 1995 “kurrë nuk duhej të ndodhte”.

“Absolutisht nuk ishte gjenocid, por kjo nuk e heq faktin që ishte një krim i tmerrshëm lufte. Gjenocid është ajo që i ndodhi serbëve në NDH gjatë Luftës së Dytë Botërore.”

Kategoritë
LajmeRajoni