“Vritni agresorët rusë, fitoni pikë”, ukrainasit po prezantojnë një model të ri lufte

Që nga dita e parë arrijnë mijëra video. Në to shihen tanke ruse të shkatërruara nga goditjet me dronë, ndonjëherë edhe vdekjet e ushtarëve rusë pas sulmeve nga ajri. Çdo video arkivohet, analizohet dhe tani vlerësohet – me pikë.

Ushtria ukrainase, shkruan BBC, ka futur një sistem të quajtur “Ushtria e dronëve: Bonus”, i njohur edhe si “e-pikë”. Në të, njësiti merr pikë për çdo ushtar rus të vrarë ose pajisje të shkatërruar. Sa më i rëndësishëm të jetë objekti, aq më e madhe është shpërblimi.

Për një hedhës raketash me shumë tubacione të shkatërruar – 50 pikë, për një të kapur 10 herë më shumë sesa për një të vrarë.

“Sa më strategjik dhe më i vështirë për t’u shkatërruar të jetë objekti, aq më shumë pikë merr njësia,” ka njoftuar ekipi Brave 1, që bashkon ekspertë nga ushtria dhe qeveria. Për shembull, për sistemin e shkatërruar të raketave me shumë tubacione jepen deri në 50 pikë, për tankun 40, dhe për tankun e dëmtuar 20.

Në qendrën në Kiev videot shikohen dhe vlerësohen sipas prioriteteve që ndryshojnë vazhdimisht. Themeluesi i sistemit, ministri i Transformimit Digjital, Mihaylo Fedorov, thotë se gjithçka nisi si një metodë për mbledhjen e të dhënave të sakta dhe marrjen e vendimeve më të mira.

“Para së gjithash, bëhet fjalë për të dhëna cilësore dhe matematikën e luftës – se si të përdoren më efektshëm burimet e kufizuara,” tha Fedorov.

Lufta shteron forcat, por pikët motivojnë

Fedorov pranon se sistemi ka edhe një funksion tjetër: mbajtjen e shpirtit luftarak.

“Kur ndryshojmë numrin e pikëve për një objektiv, menjëherë shihet se si kjo ndikon në motivimin e ushtarëve,” tha ai.

Në zyrën e tij dominon një ekran i madh me dhjetëra transmetime live nga dronët mbi fushënbetejën.

Komandantët ukrainas pretendojnë se dronët sot shkaktojnë 70 për qind të të gjitha viktimave ruse. Në rrjetet sociale, këto video shpesh shoqërohen me muzikë metal, shpërthime dhe komente fitoreje. Për ushtarët në terren, kjo është edhe një burim shpërblimesh.

“Djemve tanë u ka mbaruar durimi, por kjo ndihmon”

BBC-ja ka biseduar me më shumë se dhjetë njësitë ukrainase për të mësuar se çfarë mendojnë ata për sistemin e pikëve. Disa e lavdërojnë, të tjerë dyshojnë në kuptimin e tij.

“Reagimet kryesisht janë pozitive,” tha Volodimir nga Brigada 108 e Mbrojtjes Territoriale, duke shtuar se “kjo na ndihmon të zëvendësojmë pajisjet e humbura, ndërsa njëkohësisht shkaktojmë dëme armikut”.

Një ushtar nga Brigada 22 Mekanike, që aktualisht lufton në verilindje të vendit, thotë se sistemi është treguar i dobishëm “djemtë tanë janë shumë të lodhur, është e vështirë t’i motivojmë më. Por kështu marrin dronë dhe shpërblime. Kjo ka rëndësi.”

Dhjetë herë më shumë pikë për kapjen e një ushtari rus sesa për vrasjen e tij

Në një ndërtesë në Kiev, një ekip analistësh shqyrton dhe vlerëson çdo ditë mijëra video. Shpërblehen goditjet, veçanërisht shkatërrimi total i objektivave. Një kategori e veçantë janë robërit, që sjellin dhjetë herë më shumë pikë sesa të vrarit – sepse mund të shkëmbehen me ushtarët ukrainas.

“Për një rus të vrarë merr një pikë. Nëse e kap, kjo shumëzohet me dhjetë,” shpjegoi analisti Volodija.

Më e vështirë për ta është të konfirmojnë sulmet artilerike, sepse rusët dinë mirë si të fshehin armët, ndaj dronët duhet të hyjnë mes pemëve ose në gropa për të filmuar.

Sistemi ndryshon ashtu si ndryshon edhe lufta

Ndërsa Rusia përdor gjithnjë e më shumë grupe të vogla këmbësorie dhe motoçikleta, rritet vlera e goditjes për çdo ushtar. “Më parë për një ushtar të vrarë jepeshin dy pikë, tani gjashtë,” njoftoi ekipi i Brave 1.

Ka më shumë vlerë të goditet operatori i dronit sesa vetë droni, sepse këta njerëz janë më të vështirë për t’u zëvendësuar. Sistemi i shpërblimit po ndryshon gjithashtu – më parë njësitë këmbenin pikët me para dhe blinin çfarë u duhej. Tani gjithçka bëhet përmes platformës Brave 1 Market.

“Amazon i luftës” – ushtarët blejnë dronë me pikë

Brave 1 Market është një platformë online ku ushtarët mund të zgjedhin nga mbi 1600 produkte – nga dronët deri te pjesët për robotët tokësorë që nxjerrin të plagosurit. Ata porosisin direkt nga prodhuesit, ndërsa ministria e mbrojtjes paguan më pas. Mund të lënë edhe recensione, si në çdo dyqan modern online.

Qëllimi nuk është të zëvendësohet furnizimi ushtarak, por ta përshpejtojë dhe ta bëjë më praktik.Sidomos në një luftë ku çdo sekondë dhe çdo copë pajisjeje është vendimtare. Pikët për goditjet, dyqani online për pajisje – për disa kjo mund të tingëllojë brutalisht. Por Ukraina nuk zgjedh. Është e detyruar të luftojë – shpejt, mençur dhe efektivisht

Kategoritë
BotaLajme